E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani si Kristiano Ronaldo, vishet me “Nike”

Kur Shqipëria do të përballet me Portugalinë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, sulmuesi i kombëtares shqiptare Edmond Kapllani (golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në kualifikueset Euro 2008) do ta ndjejë veten të barabartë me lojtarin më të mirë në botë, Kristiano Ronaldon.
Të dy lojtarët, ashtu si gjithë të tjerët do të luajnë me të njëjtën fanellë. Ose më mirë me fanellat e prodhuar nga gjiganti amerikan "Nike", kompania më e madhe e produkteve sportive në botë.
Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi sot në ambientet e Hotel "Tirana International" marrëveshjen me kompaninë "Nike", ku firmat në kontratën dyvjecare u hodhën nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe përfaqësuesi ekskluziv i "Nike" për Ballkanin, Igor Milojevic i kompanisë "Delta Sport".
"Sot do të nënshkruajmë një marrëveshje më një nga kompanitë më të mëdha në botë për të veshur ekipet tona kombëtare me produktet e ‘Nike', -tha presidenti Duka në fjalën e tij. "Është vazhdimi i strategjisë së Federatës Shqiptare të Futbollit për të pasur sa më shumë partnerë seriozë, për ta zhvilluar më tej lojën dhe futbollin tonë".
"Kontrata që ne do të zyrtarizojmë sot do të jetë për të gjithë periudhën e ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Botëror 2010 (Afrika e Jugut). Nike do të veshë përfaqësuesen shqiptare me të gjitha veshjet. Risia është e kësaj marrëveshje është topi. Të gjitha ndeshjet e Kombëtares shqiptare do të luhen me topin "Nike".
"Falënderoj përfaqësuesin e saj zotin Milojevic dhe kompaninë Nike që pranuan të sponsorizojnë ekipin e futbollit tonë dhe t'i garantoj ata se ne do të bëjmë më të mirën për të rritur cilësinë e futbollit tonë për të nderuar një emër si "Nike".
Përfaqësuesi i kompanisë "Nike" për rajonin e Ballkanit, Igor Milojevic tha: "Jemi të kënaqur që kemi arritur një marrëveshje me Federatën Shqiptare. Unë kam parë vitin e kaluar disa ndeshje të Kombëtares shqiptare dhe kam vlerësuar pasionin e shqiptarëve për futbollin. Nike është një nga kompanitë më të mëdha në botë". "Marrëveshja e arritur me federatën e futbollit është me përfitim të dyfishtë për të dyja palët. Shqipëria ka arritur rezultate shumë të mira në fushatën eliminatore të fundit dhe kjo na bën të besojmë se me firmosjen e kontratës do të kemi rezultate akoma më të mira në Shqipëri.
"Nike do të sjellë prodhimet më të mira në Shqipëri. Le të shpresojmë se Nike të jetë edhe një ogur i mirë për Kombëtaren shqiptare. Nike furnizon me uniforma Brazilin, Portugalinë, Kroacinë e të tjera ekipe të mëdha si dhe një numër të madh sportistësh cilësorë. Lë të shpresojmë se do të arrijmë më shumë fitore me përfaqësuesen shqiptare".
"Kontrata me Federatën Shqiptare të Futbollit fillimisht do të jetë për dy vjet, përkatësisht për periudhën kur edhe do të zhvillohen eliminatoret e Kampionatit Botëror të vitit 2010 në Afrikë e Jugut. "Gjithsesi ne do të shohim mundësinë që të bashkëpunojmë edhe në ligat e futbollit shqiptar"
", - tha për Albania-sport.com, përfaqësuesi i "Nike", Igor Milojevic.
"Përse vendosët të bashkëpunoni me Shqipërinë? Ne kemi parë se futbolli në Shqipëri, ashtu si kudo në Europë është sporti numër 1. Ne të gjithë po shohim se sesa shumë të dhënë janë njerëzit për futbollin në Kampionatin Europian. Unë besoj se Federata Shqiptare do të punojë për rezultate të mira
Në ceremoninë e zhvilluar ishte i pranishëm edhe sekretari i FSHF-së, Arben Bici si dhe menaxheri i përgjitshëm e kompanisë shqiptare "Sportiva", Arjan Sala, i cili përfaqëson ekskluzivisht kompaninë "Nike" në Shqipëri.
Kompania amerikane është themeluar në vitin 1972 dhe në vitin 2007 nga shitjet në të gjithë botën kishte një xhiro vjetore prej 16.2 miliardë dollarësh dhe me një fitim neto prej 1.5 miliardë dollarë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›