E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshtica mbi popullohet nga emigrantët, votimet rritin fluksin në kufi

Mbi 50 autobusë dhe me qindra automjete kanë lëvizur gjatë të shtunës në itinerarin Greqi-Shqipëri, ndërsa pala greke ka shtuar dhe numrin e sporteleve për daljet nga një në tre të tillë. Ndonëse hyrjet drejt Shqipërisë disa orë para startit të procesit zgjedhor kanë qenë të shumta, për fat të mirë kanë munguar radhët e gjata dhe pritjet e pafundme në kufi. Shifrat zyrtare nga mesnata e të shtunës deri në orën 15.00 të kësaj dite flasin për mbi 4500 emigrantë, që kanë hyrë në Shqipëri me 1150 automjete, nga të cilat kanë qenë plot 50 autobusë pjesa më e madhe të ardhur nga qyteti grek i Selanikut, Athina, Lamia, Larisa, Katerini etj,. Ndërkaq sipas të dhënave zyrtare të policisë kufitare në vendkalimin e Kapshticës nga data 19 qershor deri një ditë para zgjedhjeve parlamentare kanë hyrë në atdhe rreth 25 mijë emigrantë shqiptarë, qëllimi i të cilëve është kryesisht ai i pjesëmarrjes në votime për të mos e përjashtuar veten nga ky moment historik i vendit të shqiponjave. Sipas komandantit të pikës kufitare të Kapshticës, Dritan Shema situata është nën kontroll të plotë dhe policia kufitare në këtë pikë ka marrë masat e saj prej mëse dy javësh, teksa për këtë fundjavë ka shtuar dhe numrin e efektivave për të përballuar dhe një situatë më të ngarkuar me dyndje emigrantësh. Madje, Shema bën të ditur për gazetën SOT se mbahen kontakte të rregullta me palën greke. Gjatë paradites së sotme, pritet që kufiri në Kapshticë të jetë sërish i populluar të paktën deri në mesditë, ndërsa pas kësaj do të rikthehet qetësia në kufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›