E Diel, 1 Nëntor 2026

Sokrat i vuajtur, apo derr i kënaqur?!

Nga Gjon BRUÇI                                                                               
Siç dihet, Sokrati ishte profesori i filozofisë në Greqinë e lashtë. Jeta e tij pati një kalvar të çuditshëm: megjithëse zotëronte dijet dhe aftësitë e një profesori, jetoi si një plebe i varfër e madje vdiq në mjerim. Kjo ndodhi sepse ai nuk pranoi të shkelte mbi parimet e tij dhe moralin njerëzor, nuk iu jargavit pushtetit të kohës, nuk pranoi të mashtronte, por mbrojti me vendosmëri të vërtetën, ndaj dhe deri në fund të jetës ishte e mbeti i varfër, por i ndershëm.
Kanë kaluar mbi dymijë vjet nga ajo kohë dhe bota sot përdor postulatin retorik. Sokrat i vuajtur, apo derr i kënaqur? Kjo dilemë e shoqëron njeriun nga lindja gjer në vdekje. Mjaft individë pranojnë peripecitë e jetës, por kurrsesi të përkulin kurrizin përpara tjetrit, të bjerrin moralin, të pranojnë gënjeshtrën e të mohojnë të vërtetën. Këta individë,që për fat të mirë shoqëria jonë i ka me shumicë, në konstruktin e tyre fizik e shpirtëror nuk kanë vetëm tul e dhjamë, por edhe gjak e kocka, moral e ideale të larta,të cilat,të mbrujtura sëbashku formojnë karakterin, vetinë më pikante të jetës së njeriut. Në sistemin aktual shoqëror që po ndërtojmë, ndonëse nga apologjetët e tij propagandohen liria, demokracia, shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut, shanset e barabarta, konkurrenca e ndershme, humanizmi, drejtësia e njëjtë për të gjithë etj. etj. formula tepër sinjifikative këto; në praktikën e përditshme mbizotëron individualizmi, egoizmi, lufta për pasurim me çdo mjet e mënyrë, morali sipas situatës e interesit etj. Aq më agresive bëhen këto të fundit në periudhën tonë tranzitore ku institucionet që ruajnë e sigurojnë balancat e shoqërisë, jo vetëm nuk janë konsoliduar ende, por shpesh manipulohen e përdoren në të kundërtën e funksionit të tyre. Në këtë lloj sistemi që përjetojmë aktualisht jeta e individit me moral të lartë dhe ideale të pastra bëhet tepër e vështirë. Atij i duhet të përballet me gënjeshtrën,me mashtrimin, me korrupsionin, me abandonimin, madje dhe me kërcënimin e atyre që gjenden në të kundërtën e moralit. Megjithatë shoqëria shqiptare ruan në gjirin e saj mijëra individë të cilët kanë zgjedhur e zgjedhin më mirë Sokratin e vuajtur se sa derrin e kënaqur. Dhjetëra e qindra pjesëtarë të shoqërisë sonë , në momentin e ndërrimit të sistemit, apo në katrahurat e viteve 1997-98 kur vendi kalonte një kaos të organizuar, u lëshuan si hiena për të zhvatur e përvetësuar pasurinë e vënë me djersën e përbashkët, por nga ana tjetër, mijëra e mijëra të tjerë të po kësaj shoqërie nuk prekën as dhe një gozhdë, sepse morali i Sokratit nuk i lejonte. Dhjeëtra e ndoshta qindra individë të sotëm, me e pa pushtet, përdorin njëmijë e një marifete, mashtrime, driblime dhe transformime deri në pështirosje, vetëm e vetëm se si të pasurohen, të rehatohen e të lumturohen në kurriz të të tjerëve, duke shkelur pa u skuqur mbi moralin, mbi dinjitetin, mbi veten dhe shoqërinë. Por në të njëjtën kohë kemi mijërat e qytetarëve të ndershëm që kafardisen me djersën e ballit të tyre duke ruajtur siç thotë kënga mirditore  Kësulën e bardhë si borë mbi vetull. Po qeveritarët, pushtetarët e politikanët tanë në çpozicion ndodhen ?!
Normalisht këta zotërinj, përfaqësues e të zgjedhur të qytetarëve, duhej të rrezatonin figurën më të plotë të moralit, nivelin më të pastër të ndershmërisë, shkallën superiore të përkushtimit. Po a i kanë zgjedhur e përvetësuar liderët tanë politikë e shtetërorë këta parametra të vërtetë të ndershmërisë? Për fat të keq ne raste tepër të rralla. Shumica kanë zgjedhur si model të jetës së tyre jo Sokratin e vuajtur, por derrin e kënaqur. Kjo ka ndodhur e ndodh nga një llogari e thjeshtë : Të jesh Sokrat si Sokrati i lashtësisë është e lakmueshme, por pas emrit të famshëm vjen fjala i vuajtur. Këtë të fundit politikano-pushtetarët tanë nuk janë budallenj ta pranojnë. Atëherë mbetet derri, ashpërsinë dhe vulgaritetin e të cilit e zbut mbiemri i kënaqur. Ky mbiemër i hatashëm është mbiemri më i preferuar për një deputet, një ministër apo një politikan të dorës së parë. Dhe kënaqësia e fituar prej këtij mbiemri duket sheshit. Hidhuni në turmën e politikano-pushtetarëve të sotëm dhe qysh në pamjen e parë do të konstatoni plot syresh me fizionominë dhe performancën e derrit të kënaqur, derrit tërë tul e dhjamë, që tri herë në ditë fërkon barkun dhe bën oh,oh,oh.  Nëse do të kuturisje e ta ngacmoje ndonjërin prej këtyre, duke i kujtuar Sokratin e vuajtur, me një buzëqeshje diagonale ai do të ta kthente: Pika ty dhe Sokratit tënd ! Jeta njëherë jetohet or budalla! Dhe do të vijojë të fërkojë barkun me atë filozofinë e derrit të kënaqur, që ia bën oh, oh, oh.....
Sokrat i vuajtur, apo derr i kënaqur, dilemë e përhershme e jetës së njeriut. E para, ajo e Sokratit, rrugë e vështirë, me privacione, por e ndershme. E dyta, ajo e derrit, rrugë e lehtë, e rehatshme dhe lumturuese deri në derrosje, por pa nder e burrëri. Cilën të zgjedhim ?!
Katolikët e veriut, sapo fillon vjeshta zgjedhin nga tufa e derrave gicin më të mirë dhe pasi e sistemojnë në një grazhd të rregulluar kastile, i bëjnë një trajtim ushqimor të zgjedhur. Derri, ose siç i thonë në këtë zonë thiu, nga brumërat që kullufit fillon e shëndoshet, dhjamoset, rrumbullakoset e qërohet (zbardhet) në atë shkallë sa edhe qimja i shndrit e lëkura i llamburit. (Tani që shkruaj këtë frazë për derrin, mu kujtua pamja e një ministri, me flokë të shkurtër, me lëkurën kuq e bardhë, tëpkë si ajo e thiut të grazhdit....)
Mirëpo në gjithë këtë mesele të derr-thiut që majmet në grazhd, ka një sekret: Derr-thiu i grazhdit, aty nga 20-25 dhjetori (në prag të Krishtlindjeve), bie kurban i hanxharit të të zot dhe nga frymorë i gjerdjeshëm kthehet në rosto e bërxolla për atë që e ka ushqyer për merak. I ziu derr-thi, po ta dinte se çfarë e pret në fund të dhjetorit, do të çante me noçkë gardhin e grazhdit e do të arratisej për të kërkuar azil politik në ato vende ku nuk e hanë mishin e derrit. Në pamundësi për të realizuar këtë, të paktën do të shpallte grevë urie...
Morali? Tepër i qartë. Mund të jetosh si derr i kënaqur, por shumë shpejt do të përfundosh nën hanxhar... Politikano-pushtetarët që kanë pranuar rolin e derrit të kënaqur, mund ti shpëtojnë hanxharit fizik të funddhjetorit, falë imunitetit që iu siguron ligji, por kurrsesi hanxharit të moralit të fund-jetës së tyre. Njeriu nuk duhet të jetojë si derr e aq më pak të vdesë si i tillë. Ja pse njerëzit e vërtetë pranojnë privacionet e jetës dhe mundohen ti ngjajnë Sokratit të lashtësisë.
Padyshim që nuk ka pyll pa derra. Në pyllin tonë demokratik, doemos ka dhe do të ketë edhe derra. Kjo është e pashmangshme. Por është në dorën tonë, në dorën e popullit, që këta derra të mos na dalin në krye të pyllit,se do të na e pëgërin të gjithin. Le ti lëmë andej nga fundi i përrenjve të pyllit, gjer sa ta krasitim këtë të fundit dhe derrat ti çojmë në grazhdin e natyrshëm të majmërisë. Zgjedhjet e 28 qershorit na japin një rast të tillë të mundshëm.

Last Updated on Saturday, 27 June 2009 23:59

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›