E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, fluks emigrantesh, shmangen radhët e gjata

Zakonisht emigrantët zgjedhin fundjavën për të udhëtuar në Shqipëri dhe kjo është vënë re edhe në fillim të muajit gusht. Edhe paraditja e sotme ka shënuar një fluks të madh udhëtarësh që vijnë nga Greqia nepermjet Kapshtices 

KORÇË- Mbi 10 mijë udhëtarë dhe rreth 3 mijë mjete hynë në Shqipëri gjatë ditës së djeshme, përmes në pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, rreth 30 km larg qytetit të Korçës. Ndërkohë në përpunimin e udhëtarëve dhe mjeteve nuk u paraqiten vonesa problematike.
Komandanti i policisë kufitare të Kapshticës, Dritan Shema tha se "edhe paraditja e sotme ka shënuar një fluks të madh udhëtarësh që vijnë nga Greqia, kryesisht emigrantë që kthehen për pushime në atdhe".
Zakonisht emigrantët zgjedhin fundjavën për të udhëtuar në Shqipëri dhe kjo është vënë re edhe në fillim të muajit gusht. "Për të përballuar këtë numër të madh udhëtarësh, policia kufitare në Kapshticë punon me 6 sportele për vendosjen e vulave hyrëse", bëri të ditur komandant Shema.
Sipas burimeve të policisë kufitare në këtë doganë, edhe pala greke po punon me korrektësi dhe shpejtësi gjatë kontrollit të udhëtarëve dhe kjo ka sjellë shmangien e radhëve në territorin doganor.
"E rëndësishme është se me gjithë këtë fluks në ardhje të emigrantëve, nuk ka vonesa problematike për ta në kryerjen e procedurave të kalimit të kufirit", theksoi Shema.
Fillimi i muajit gusht që përkon me pikun e sezonit të pushimeve regjistron një numër të madh udhëtarësh që kanë hyrë nga Shqipëria përmes Kapshticës. Sipas të dhënave të policisë kufitare, nga fillimi i muajit gusht kanë hyrë nga Greqia mbi 40 mijë persona, shifër kjo që pritet të shtohet deri në mesin e këtij muaji.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›