Kapshticë, radhë të emigrantëve që rikthehen në Greqi

Pritje e gjatë e emigrantëve shqiptarë në vendkalimin kufitar të Kapshticës të cilëve iu nevojiten më shumë se 6 orë për një vulë hyrëse në Greqi. Panorama në kufirin Shqipëri-Greqi duket e njëjtë përsa i përket radhëve të gjata dhe pritjes së përhershme të emigrantëve shqiptarë sa herë vijnë për festat e fundvitit në atdhe. E njëjta situatë ka ndodhur edhe gjatë këtij fillimvitit ku emigrantët janë ndeshur edhe një herë me radhët kilometrike në këtë pikë kufitare. Megjithë masat e policisë shqiptare të kufirit, por dhe takimet e herëpashershme të kërkuara nga kjo e fundit me palën greke për këtë çështje, nuk është mundur të shmanget kaosi në kufi. Madje që prej ditës së kaluar pala greke është duke punuar me kapacitetin maksimal të saj. Ajo ka shtuar numrin e sporteleve në 6 të tillë vetëm për hyrjet në Greqi, ndërkohë që për daljet nga Greqi funksionon vetëm një sportel. Ndërkaq pala shqiptare gjithashtu ka instaluar numrin maksimal të sporteleve duke patur vetëm për dalejt nga Shqipëria 9 të tillë. Por pavarësisht shtimit të sporteleve radhët nuk janë shmangur, ndërsa situata mbetet e njëjtë edhe gjatë ditës së sotme. Duke iu referuar burimeve zyrtare që vijnë nga Kapshtica mësohet se nga orët e para të mëngjesit e në vijim radha mbetet gati e pandryshuar ndonëse pala greke është duke punuar me rritme të larta dhe me një efektiv të shtuar punonjësish. Duke iu refereuar shifrave zyrtare mësohet se në 24 orët e fundit kanë dalë nga Shqipëria nëpërmjet Kapshticës 2473 udhëtarë me 910 automjete, ndërkohë që kanë hyrë 2388 shtetas shqiptarë me 445 automjete.