E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaq nga Washingtoni

Kryeministri Hashim Thaçi do të kthehet nga Amerika pa takuar Presidentin Barack Obama. Sipas njoftimit të qeverisë për aktivitetet në Washington, takimi me Zëvendëspresidentin Joseph Biden i ka dhënë fund agjendës së Thaçit në Shtëpinë e Bardhë. Të enjten , kreu i qeverisë takoi ish - sekretaren amerikane Madeleine Allbright, e cila ritheksoi mbështetjen për Kosovën.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, me gjasë do ta përfundojë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa e takuar numrin një të këtij shteti, Barack Obama.

Para nisjes drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se Thaçi ka udhëtuar drejt SHBA’ve me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, ku do të ketë takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë amerikanë.

Sido që të jetë, pritjet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët në kushte anonimiteti kanë proklamuar një takim Thaçi –Obama, nuk kanë dalë të sakta.

Por, delegacioni i Kosovës të enjten në Washington ka takuar Zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden, i cili kishte rezervuar një pritje për Thaçin në Shtëpinë e Bardhë edhe gjatë vitit 2010.

Sipas një kumtese, në takim është rikonfirmuar mbështetja e “fuqishme dhe e gjithanshme e SHBA-ve për Republikën e Kosovës”.

“ Në këtë kuadër, zëvendëspresidenti Biden ka vlerësuar lart lidershipin e kryeministrit Thaçi në procesin e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

“Zëvendëspresidenti Joseph Biden e përgëzoi Kryeministrin Thaçi për lidershipin e tij në marrjen e vendimeve të guximshme dhe të duhura në interes të Kosovës. Z. Biden e siguroi Kryeministrin Hashim Thaçi se SHBA-të do të vazhdojnë të mbesin thellësisht të angazhuara në Kosovë dhe do kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit, Biden ka thënë se Thaçi deri më tani ka udhëhequr Kosovën në mënyrën e duhur.

“Zëvendëspresidenti amerikan Biden i dha mbështetje të plotë Kryeministrit Thaçi që të vazhdojë të mbajë udhëheqjen e Kosovës në kursin e duhur, ashtu siç ka bërë deri tani, dhe e siguroi që përkrahja e SHBA-ve do të jetë e vazhdueshme dhe e gjithanshme. Z. Biden gjithashtu theksoi përsëri se SHBA-të janë të palëkundura në mbështetje të plotë të tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës”.

Në një njoftim flitet edhe për takimet tjera që do t’i ketë Thaci në SHBA, por nuk është përmendur edhe takimi me shefin e shtetit amerikan.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në SHBA, nesër do të takojë Sekretarin e Tregtisë të SHBA-ve, z. John Bryson, ndërsa të hënën me ftesën e Ambasadorit Christopher Hill do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Denverit”.

Po ashtu janë bërë të ditura edhe takimet në New York.

“Kryeministri Thaçi pritet të ketë takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Ban Ki Mon në Nju Jork, me ambasadorë të Kombeve të Bashkuara, si dhe kongresistë nga shteti i Nju Jorkut”.

Gjatë ditës së enjten në Washington, Thaci ka takuar edhe ish –sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Në takimin miqësor, Kryeministri Hashim Thaçi shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm që ish-sekretarja Allbright ka luajtur dhe po luan në mbështetje të zhvillimeve demokratike në Republikën e Kosovës. Në takim, kryeministri Hashim Thaçi e njoftoi znj. Allbright për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë për reformat që janë ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Sipas qeverisë, Allbright ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës, për integritetin dhe sovranitetin e saj, si dhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës. “Znj.Allbright po ashtu përgëzoi kryeministrin Thaçi për marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe për fillimin e procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur”, përfundon komunikata e Qeverisë së Kosovës.

Gjatë ditës së martë, kreu i Qeverisë së Kosovës kishte takuar edhe Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila ka ritheksuar përkrahjen amerikane për Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›