E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialog me agjendën e vjetër

Shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic ka thënë se bisedimet në Bruksel do të vazhdojnë pas zgjedhjeve në Serbi. Burime të Express thonë se Zyra e Cooper e ka ende në agjendë energjinë dhe telekomin, duke përjashtuar mundësinë që çështja e veriut të diskutohet menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi.

Shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanovic ka deklaruar se me delegacionin e Prishtinës do të ulet në të njëjtën tryezë bisedimesh në Bruksel, pas përfundimit të procesit zgjedhor në Serbi dhe pas formimit të Qeverisë së re në Beograd.

“Jemi në kontakte të vazhdueshme me ndërmjetësin e BE-së në dialog, Robert Cooper. Konsultimet po vazhdojnë, edhe pse nuk ka takime zyrtare në Bruksel. Ne jemi të gatshëm që sa më shpejt të arrijmë marrëveshje për çështjet tjera të hapura, sapo të rinisë dialogu”, ka thënë Stefanovic për mediat serbe.

Sipas medieve serbe, pauza e dialogut mund të zgjasë deri kah gjysma e shtatorit, sepse atëherë mbaron afati i fundit kohor, kur Parlamenti i ri, që konstituohet më 11 qershor, të zgjedhë Qeverinë e re.

BE-ja ka kërkuar që në raundet e ardhshme të zgjidhen çështjet si telekomunikacioni dhe energjia.

Deri më tash janë zhvilluar nëntë raunde të bisedimeve, në të cilat janë arritur shtatë marrëveshje.

Kohëve të fundit është përmendur mundësia që dialogu të fillojë edhe për çështjen e veriut por burime të Express të afërta me dialogun kanë thënë se Zyra e Cooper nuk është duke përgatitur diçka të tillë përveç temave të paralajmëruara si energjia dhe telekomunikacioni.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›