Rexhepi rrëfen për kidnapimin e policëve, opozitarët të pakënaqur

Ata kanë vlerësuar se me këto veprime, Serbia ka cenuar integriteti territorial i Kosovës.
Ministri Rexhepi ka thënë se më 31 mars 2012, në orën 10 e 30 në vendin e quajtur te pika katër në fshatin Dumnicë komuna e Podujevës, oficerët policor, Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, pjestarë të togut kufitar Oskar, 120 metra në brendi të territorit të Kosovës nga prita e përgatitur kanë qenë të kidnapuar nga xhandarmeria e Serbisë, prej 12 apo 13 pjesëtarëve.
Sipas dëshmive në pikën katër, lagjja Matarova, fillimisht ishte vendosur një pengesë me drunj, zyrtarët e policisë janë ndaluar ta largojnë pengesën, ku janë kidnapuar nga xhandarmëria.
Rexhepi ka thënë se policët e kidnapuar ishin futur në Serbi, ndërsa më pas i ishin fotografuar.
Sipas ministrit, këtë fotografim e kanë bërë duke e inskenuar situatën, duke ua vënë pushkët në krah ndërsa më pas, në një vend tjetër, policët e Kosovës janë detyruar të shtrihen në pozicionin duart mbi kokë.
Pas lirimit të tyre, pjesëtarët e Policisë Rajonale me EULEX-in kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se ata janë marrë rreth 120 metra në brendësi të territorit të Kosovës.
Policia ka marrë përgjegjësinë për kontrollin e kufirit me Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërsa me Serbinë, ka mbetur në përgjegjësinë e KFOR-it, por siç ka thënë ministrit Rexhepi për shkak të reduktimit të numrit të KFOR-it, Policia e Kosovës është marrë edhe me këtë nën përgjegjësi të KFOR-it.
“Nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre, sepse policia kishin me vete pajisjen GPS që tregon se nuk kanë kaluar atë vijë. Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson angazhimin dhe përpjekjet e institucioneve ndërkombëtare me theks EULEX-in”, ka thënë Rexhepi.
Gjithashtu, ai ka shtuar se është obligimi i KFOR-it dhe EULEX-it, për mbledhjen e informatave, lidhur me këtë rast.
Nga ana tjetër, kryetari i komisionit për Punë të Brendshme, Ahmet Isufi, ka thënë se rasti i kidnapimit të policëve të Kosovës, nuk është asgjë tjetër përveç një agresion ndaj territorit, institucioneve dhe goditje e rënd për rendin dhe institucionet e vendit.
Për këtë situatë, Isufi përgjegjësinë ia ka hedhur institucioneve të Kosovës, sepse siç ka thënë ai po neglizhojnë me ndërmarrjen e masave.
“Kjo neglizhencë po e përcjell edhe më tutje qeverinë, sepse në vend të masave të përgjegjësive, me arsyetimet e tyre po rëndojnë. Nuk janë në pyetje vetëm ata, por është në pyetje, integriteti personal, simboli i shtetit dhe jeta e qytetarëve të Kosovës. Kjo ka ndodhur për shkak se në institucionet e sigurisë kanë shkuar njerëz të pikëpamjeve politike e jo profesionale dhe që i shërbejnë një partie. Kjo tregon edhe seriozitetin e sigurisë në Kosovë”, ka thënë Isufi.
Me atë që ka ndodhur, Isufi ka thënë se është cenuar integriteti territorial i Kosovës, duke kërkuar që kjo qeveri të largohet.
“Po them se uniforma është simbol dhe është cenuar shteti, integriteti territorial, është cenuar integriteti i qytetarit dhe më mirë është që kjo qeveri të shkoj në shtëpi dhe të vijnë forcat tjera që nuk lejon që dikush tjetër t’i ndërhyj në territor”, ka thënë deputeti Isufi.
Nga ana tjetër, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Fatmir Xhelili, ka thënë se zyrtarët policor me veprime jo parimore kanë rënë në gracktë të atyre që me vite kanë tentuar të shkelin popullin e Kosovës.
“Nuk është detyrë e policisë kufitare me luftuar në vijën kufitare, por është detyrë që të identifikohen ndaj atyre që cenojnë kufirin. Policia jonë është e strukturuar dhe me standarde evropiane dhe veprojnë në atë mënyrë”, ka thënë Xhelili.
Për më tepër ai ka thënë se është obligim që veprimet tona të jenë të matura dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtarë.
Ndërsa në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, Anton Çuni, ka thënë se ndërhyrja e forcave ushtarake e politike, në territorin e Kosovës, në terminologjinë ushtarake njihet si agresion. Kurse në aspektin juridik kjo ndërhyrje njihet si akt kriminal dhe kjo është edhe një thyerje e marrëveshjes ushtarake në mes të KFOR-it.
Edhe ai për këtë, një pjesë të fajit, ia ka hedhur institucioneve të vendit që edhe pas deklarimeve nga zyrtarët serb, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim.
“Në rastin në fjalë, ata kanë qenë jo vigjilent fal papërgjegjësisë. Përkundër deklarimeve të Serbisë, nuk është shtuar aspak siguria dhe angazhimi shtesë”, ka thënë ai.
Ndërkaq deputeti nga radhët e PDK-së, Behar Selimi fajin për këtë nuk ia lënë Qeverisë së vendit, por edhe deputetëve të kuvendit.
“U tha se kemi të bëjmë me qeveri të pa përgjegjshme dhe jo serioze, por nuk e di se sa kemi të drejtë, sepse kur miratohej ligji nuk kemi pranuar amandamentin ku rregullohej funksionalizimi i policisë kufitare. A mos e lëshuam një rast që me ligj ta forcojmë policinë kufitare duke pasur parasysh këto situata”, ka thënë Selimi.
Por shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka kërkuar nga deputetët që mos të përmendin emrin e ministrit Ivica Daçiq, pasi që, siç ka thënë ai, po i bëhet fushatë.
“Mbi 50 herë u përmend fjala e ministrit të Serbisë. Nuk duhet bë se fushatë po i bëjmë. Gjysma e deputetëve deshën të qajnë, duke thënë kshyr çka bojnë ata e sa të mirë jemi ne. Nuk kemi nevojë me qajt sa e keqe është Serbia e sa të mirë jemi na”, ka thënë Gjini.
Ndërsa deputetja nga radhët e LDK-së, Vjollca Krasniqi me ironi, i ka sugjeruar ministrin, Rexhepi që të shtojë masat e sigurisë se po e kidnapojnë edhe atë në pjesën veriore të Kosovës.