E Diel, 1 Nëntor 2026

“Karagjozllëkun e Edi Ramës po e shohin, po e gjykojnë dhe po e vlerësojnë përditë zgjedhësit”

Intervistë e Zëvendëskryeministrit, Ministrit të Jashtëm dhe Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta
 
Akuzat mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim tashmë janë bërë pjesë e së përditshmes dhe nuk përbëjnë më lajm, por ajo që ndodhi në Pragë në kongresin e PSE-së nuk është më një lajm kaq i zakonshëm. Së pari, në këndvështrimin tuaj a përbën një incident dhe së dyti, i tejkalon përmasat e përditshmërisë tonë politike?
Mendoj se nuk është ndonjë habi për të tjerët të mësojnë se kryetari i Partisë Socialiste nuk duron dot kur flasin të tjerët, por ajo që ishte më e rënda, që ishte vërtet një mashtrim i Partisë Socialiste këtu, e cila nxjerr një njoftim të sajin zyrtar nëpër media dhe televizione, sikur ishte miratuar një dokument, një rezolutë, në këtë eveniment, në përkrahje të gjithë kërkesave të PS-së dhe që i bëhej thirrje Kryeministrit dhe koalicionit qeverisës dhe kështu me radhë, gjë që dihet u përgënjeshtrua zyrtarisht nga vet zëdhënësja e Partisë Socialiste Evropiane. Është vërtet për të ardhur keq se si mund të përdoren aktivitete të tilla për të gënjyer dhe për të mashtruar opinionin publik. Kishin shkuar aq larg, sa dukej sikur atje kishin thënë të hapen dhe kutitë, gjë që jo vetëm nuk është e vërtetë, pasi Partia Socialiste Evropiane është një institucion serioz dhe nuk mund të dal kundër institucioneve ndërkombëtare të Bashkimit Evropian. Dihet qëndrimi i këtyre institucioneve për zgjedhjeve. Po ashtu, PSE nuk mund të dali kundër vendimeve të OSBE/ODIHR dhe ka qenë e qartë se të gjitha mesazhet kanë qenë se Parlamenti është vendi ku bëhet debati, Parlamenti është vendi ku shkon opozita demokratike.

Në rast se kryetari i PS-së e ka marrë këtë mbështetje jo hapur, por në biseda konfidenciale, sikurse ndodh të ketë në takime të tilla. A ka të njëjtën vlerë në atë që konsiderohet mbështetje totale, qoftë kjo dhe në formën e një rezolute?
Absolutisht, jo. Deklarata është dokumente zyrtar dhe ka vlerë zyrtare, lexohet nga dikush dhe miratohet, votohet. Nuk ka asnjë dokument të tillë. Ju për këtë mund t’i drejtoheni vet zëdhënëses së Partisë Socialiste Evropiane. Unë nuk mund të marrë përsipër të flas përmes këtij institucioni. Unë mund të them se kjo ka qenë një gënjeshtër dhe se nuk ka asnjë ndërkombëtar, që mund t’u thotë vazhdoni bojkotin, sepse kjo është një marrëzi dhe të jini të sigurt se nuk ka ndërkombëtar që mund të arrij ta kuptojë këtë gjë.

Pas incidentit të fundit në Pragë, a mund të thuhet se marrëdhëniet mes PS dhe LSI-ja janë shkëputur përfundimisht dhe kemi një divorc përfundimtar, të paktën për sa kohë krerët janë të njëjtët?
Kjo, për mua, nuk është shumë e rëndësishme, sepse mendoj se deklaratat dhe qëndrimit përjashtuese dhe kategorike ndaj cilitdo dhe çdo force demokratike nuk janë të arsyeshme. Por absolutisht rruga në të cilën ecën kjo forcë politike është një rrugë destruktive. Është një rrugë që nuk i shërben as demokracisë në vend dhe as institucioneve demokratike, as integrimit evropian dhe as rolit në rritje që mund të ketë opozita në këtë proces. Është një rrugë, e cila po asfikson çdolloj qelize demokratike që ka ekzistuar më parë në këtë forcë politike, duke e çuar këtë në drejtime të paditura.
Në momentin që flasim, është krijuar ideja se situata nuk mund të përmirësohet. Duke pasur parasysh retorikën e përdorur nga palët, sipas jush, sa rrezik ka që situata të precipitojë drejt destabilitetit?
Unë jam kundër kësaj retorike, pavarësisht se kush e provokoi më shumë, me veprime destruktive, jo thjesht me retorik dhe këtu kam parasysh lidershipin e PS. Së dyti, duhet të jeni të sigurt ju dhe gjithë të tjerët se nuk ka për të pasur asnjë moment destabilizimi në vend, për arsye sepse çdo gjë funksionon, nuk është ndonjë tragjedi e madhe sepse opozita nuk është në Parlament. Qeveria vazhdon punën dhe duhet të vazhdojë punën dhe duhet të përqendrojë të gjitha energjitë te punët e mëdha që po bënë dhe që do të bëjë, kurse ai vet le të sillet vërdallë zyrës së tij, për sa kohë do të jetë atje.

Rama dhe të tjerë e kanë të qartë se kutitë nuk do të hapen? Dhe në gjykimin tuaj, cila është tendenca e vërtetë e kësaj opozite?
Ka vetëm një tendencë të vërtetë, që është destruktiviteti. Destinacionin e lëvizjes që ai po bënë të jeni të sigurt se as ai vet nuk e di?

Përse do të shërbente?
Kjo u shërben thjesht si një mënyrë për të justifikuar humbjen e 28 qershorit. Pra, që ne nuk humbëm, por votat ndoshta u prekën. Gjë që është krejtësisht e pavërtetë në bilancin e gjithë asaj që ka ndodhur me zgjedhjet. Së dyti, gjithë ky veprim destruktiv nuk i duhet për të penguar qeverinë. Nuk ka ça i bënë qeverisë zoti Rama. Kjo i duhet thjesht për të homogjenizuar në mënyrë antidemokratike dhe në një farë mënyrë që po e quajmë “revolucionare”, por në kuptimin reaksionar, jo në kuptimin pozitiv të saj Partinë Socialiste. Sepse zhvillimet normale dhe zhvillimet demokratike dhe pjesëmarrja e kësaj partie në këto zhvillime e dobësojnë akoma më tej pozicionin e këtij njeriu në krye të partisë. Sepse ky nuk është në Parlament. Në parlament do shkojnë gjithë të tjerët dhe një pjesë e mirë kanë profilin e tyre politik.

Megjithatë, si mund ta përkufizojmë këtë situatë?
Është një krizë e opozitës, një grip stinor i opozitës.

Mendoni se është i kalueshëm lehtë?
Po do kalohet, se nuk kanë rrugë tjetër.

Për zgjidhjen e krizës mungon një negociatori apo kompromisi?
Mendoj se kompromisi është ofruar. Sot kërkohet që lidershipi i PS të kuptojë që sa më shpejt të braktisi këtë pozicion destruktiv, aq më mirë është edhe për të, por edhe për atë alternativë që opozita duhet të përfaqësoj për një vend demokratik.
 
Mundësia e djegies së mandateve të PS-së është një kërcënim apo...?
Ç’do të thotë djegie mandatesh?

Zëvendësim, është njëlloj...
Jo, kjo është tjetër gjë dhe është e parashikuar në Kushtetutë. Ata opozitë do jenë prapë, nuk do merren nga PD-ja, LSI-ja, a ku di unë, ata nga opozita do merren. Nuk mund të ketë asnjë zgjidhje jashtë konceptit dhe frymës kushtetues. Por, absolutisht nëse këta deputetë që janë sot nuk duan të shkojnë në Parlament për njëmijenjë arsye, kjo nuk do të thotë se duhet të shkelet Kushtetuta. Kjo çështje do zgjidhet në mënyrë kushtetuese. Nëse ata nuk duan të vijnë në Parlament, le të dalin malit. Ne jemi në një vend anëtar të NATO-s, jemi në një vend që pret t’i vijë pyetësori dhe përgatitet për negociata me BE, ata duan të mos hyjnë në Kuvend, po le të dalin malit, çfarë t’u bëjmë ne. Më mirë të protestojnë atje sesa te Kryeministria, sepse mërzisin dhe njerëzit. Ata kanë marrë mandatin për të shkuar në Parlament.

Ata e kanë gjetur zgjidhjen do të hyjnë në Kuvend për të bërë betimin dhe do dalin prapë?
Më thuaj, çfarë është kjo? Ky është një karagjozllëk i madh. Le të bëjnë ç’të duan, njerëzit po i shikojnë, po i gjykojnë dhe do i vlerësojnë. Mitingu madhështor i djeshëm ishte më shumë se shprehje e aspiratave të vendit, ishte një qëndrim për të mos u kthyer mbrapa në një rrugë ku do t’i fus lidershipi aktual i PS-së. Askush të mos ketë iluzione se zgjedhjet do të jenë më parë sesa 28 qershori i vitit 2013. Nuk do të jenë asnjë vit më parë dhe as më pas, sepse zgjedhjet janë bërë traditë. Kushdo mund të bëjë çfarë të dojë, por askush të mos harrojë se jemi të monitoruar nga qytetarët shqiptarë.
Marrë me shkurtime nga TV “Alsat”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›