“Rama ktheu në pallate për hesap të Arjan Leskajt sheshet e planifikuara për shkolla dhe kopshte”

Pas publikimit në gazetën “55”, denoncon deputeti demokrat Florjon Mima
Më herët gazeta “55” denoncoi kthimin e një sheshi të planifikuara fillimisht për ndërtim shkollash dhe kopshtesh për fëmijët, në shesh për pallate shumë katesh, në interes të mikut të tij Arjan Valentina Leskaj. Nisur nga ky denoncim disa ditor i bërë nga një organ mediatik që rigorozisht ka denoncuar aferat antiligjore të Edvin Ramës me lejet e ndërtimit në kryeqytet, ka ardhur dje reagimi zyrtar i Partisë Demokratike.
Deputeti demokrat, Florjon Mima, denoncoi dje aferën e rëndë korruptive të kryebashkiakut Edvin Rama, dosja voluminoze e të cilit përmbledh qindra faqe të mbushura me abuzime të rënda në dëm të qytetarëve kryeqytetas dhe në shpërfillje të hapur të sistemit ligjor në vend. Mima, denoncoi një tjetër akt ekstra ligjor të Ramës, ku pranë zonës së Ali Demit, Edvini ka dhënë për hesap të mikut të tij ndërtues Arjan Leskaj zonat e planifikuara për ndërtime shkollash dhe kopshtesh.
“Para tre ditësh deputetët Përnaska, Stazimiri, Shehu dhe unë kemi denoncuar një rast flagrant të shkeljes së një vendimi të KRRT-së të Tiranës, nga vetë bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë pranë zonës së Ali Demit për kuadratin C 15 i cili në Mars të vitit 2005 figuron i destinuar për ndërtimin e objekteve para shkollore, kopshte dhe çerdhe. Në atë bllok ndodhen dy blloqe të mëdha banimi të dhëna për firmën “Matriks’ SHPK në pronësi të shtetasit Leskaj”, u shpreh Mima.
Ai denoncoi edhe një tjetër shkelje e cila këtë herë ka të bëjë me spostimin e lumit të Lanës dhe afrimin e tij në një distancë prej më shumë se 300 metrash me arsyen e vetme që rruga e cila shoqëron Lanën që do të jetë rruge kryesor, njësoj si Bulevardi “Zhan D’Ark” të afrohet në derë të këtij objekti.
Nisur nga ky akt, deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima, garantoi edhe pronarët e tokës që kanë titull pronësie në bllokun e lart përmendur se shkelësit e të drejtave të tyre do të përballen me ashpërsinë më të madhe të ligjit.
“Sot jemi njohur me një prononcim të pronarëve të tokës, janë familja Maçi. Jam këtu për të siguruar familjen Maçi, por dhe çdo banor tjetër që ka titull pronësie në atë bllok se ne jemi të bindur, absolutisht, që ata ta gëzojnë dhe ta zhvillojnë tokën e tyre. Denoncimi jonë nuk ka pasur të bëjë fare me cenimin e të drejtave pronësore të kësaj familje, por edhe familjeve të tjera.
Gjithashtu jam këtu për të konfirmuar patundshmërinë tonë se jemi të bindur që të gjithë ata që kanë cenuar ligjet, në sekretariatin teknik të bashkisë së Tiranës, por edhe në ekzekutivin e bashkisë së Tiranës, do të përgjigjen për këto shkelje flagrante të ligjit”, deklaroi më tej, deputeti demokrat, Florjon Mima.