E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhic “fliste për vrasjen e 300.000 boshnjakëve”

HAGE-Telefonatat e përgjuara të Radovan Karaxhicit, ku ai flet për masakrimin e 300.000 myslimanëve, janë përmendur të martën, në gjykimin për gjenocid kundër këtij ish-lideri të Serbëve të Bosnjës. Me shikimin nga ulëset e zbrazëta, të rezervuara për Karaxhicin, i cili është duke e bojkotuar gjykimin e tij në Hagë, Prokuroria filloi deklaratën hyrëse duke i cituar fjalët e pëshpëritura nga ky ish-lider, në prag të luftës në Bosnjë - më të përgjakshmes në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. “Ka ardhur koha”, citoi prokurori Alan Tieger, Karaxhicin, i cili në këtë mënyrë i ishte drejtuar Parlamentit serbo-boshnjak, derisa po e nënshkruante urdhrin për rimarrjen e kontrollit mbi Zepan dhe Srebrenicën - vendet e siguruara nga OKB-ja, ku forcat serbe të Bosnjës masakruan më shumë se 7.000 boshnjakë. Tieger më pas shpalosi dëshmi nga një numër telefonatash të incizuara nga viti 1991, në të cilat Karaxhici me gjakftohtësi vulosi fatin e Sarajevës, kryeqytetit boshnjak, të cilën forcat serbe e mbajtën të rrethuar për 44 muaj. Në incizimet e telefonatave, Karaxhic thotë: “Ata duhet ta dinë se janë rreth 20.000 serbë të armatosur rreth Sarajevës. Ajo do të bëhet kazan i zi, ku do të vdesin 300.000 myslimanë. Ata do të zhduken. Ata njerëz do të zhduken nga faqja e dheut”. Tieger ka thënë se Karaxhic ka treguar vetëm përbuzje ndaj qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare për programin serbo-boshnjak të spastrimit etnik. “Siç kishte thënë ai në tetor të vitit 1991, në prag të asaj që planifikonte: `Evropës do t’i thuhet të pirdhet dhe të mos kthehet derisa ta kryejmë ne punën”.

Prokurorët e kanë filluar rastin e tyre kundër Radovan Karaxhicit, të martën, dhe pse ish-lideri i serbëve të Bosnjës e bojkotoi edhe ditën e dytë të gjykimit të tij në Tribunalin e Hagës. Karaxhic ka deklaruar se ndihet i pafajshëm për 11 akuzat për krime lufte, që rrjedhin nga shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë, në të nëntëdhjetat, përfshirë dy akuzat për gjenocid. Tieger po ashtu ka treguar se si “komandanti suprem” orkestroi fushatat e spastrimit etnik, për të çrrënjosur myslimanët nga Bosnja, përfshirë rrethimin 43- muajsh të Sarajevës. “Ky rast ka të bëjë me komandantin suprem. Ka të bëjë me njeriun që nxiti forcat e nacionalizmit, urrejtjes dhe të frikës, me qëllim të vënies në jetë të vizionit të tij për një Bosnjë të ndarë etnikisht - me Radovan Karaxhicin”, ka thënë Tieger. Karaxhic as të martën nuk ishte në gjykatë, duke vënë në jetë kështu, kërcënimin e tij për të bojkotuar gjykimin, për shkak se i duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për rastin. Gjykatësi O-Gon Kwon e ka paralajmëruar edhe një herë Karaxhicin që të paraqitet në gjykatore, apo në të kundërtën do t’i caktohet një avokat dhe ai do të gjykohet në mungesë. “Po qe se i akuzuari vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen në gjykim... gjykimi do të vazhdojë në mungesën e tij dhe atij do t’i caktohet një avokat”, ka thënë gjyqtari koreanojugor, duke shtuar se Tribunali do ta marrë vendimin pas deklaratës hyrëse të Prokurorisë, të hënën.

(d.b/Reuters/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›