E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis gara për ambasadorin kosovar në Shkup

PRISHTINË- Në Prishtinë nga e hëna ka nisur gara për postin e ambasadorit të Republikës së Kosovës në fqinjin jugperëndimor, Maqedoni. Kosovarja “Koha Ditore” bën të ditur sot se konkursin për këtë post e ka shpallur të hënën Ministria e Punëve të Jashtme, gati një javë pasi presidenti Fatmir Sejdiu ka dekretuar themelimin e misionit diplomatik në nivel ambasade me Republikën e Maqedonisë, selia e së cilës do të jetë në Shkup. Sipas konkursit, njeriu që do t’i prijë misionit diplomatik në Maqedoni duhet ta ketë kualifikimin dhe përvojën e punës sikurse kërkon neni 6 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik. Ai duhet të ketë aftësi relevante profesionale, reputacion të lartë, njohuri të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohuri të
gjuhës angleze. Po kështu, kandidati preferohet të ketë njohuri të një gjuhe
zyrtare të shtetit pranues, njohuri për shtetin pranues ose rajonin në të cilin ndodhet shteti pranues, dhe aftësi integruese ose tolerancë të lartë ndaj kulturës ose realitetit socio-kulturor të shtetit pranues. Konkursi do
të jetë i hapur një muaj. Konkursi për ambasador, dekretimi i misionit diplomatik në nivel ambasade dhe i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë janë rezultat i zgjidhjes së kontestit rreth përcaktimit
të vijës kufitare midis të dyja vendeve, që u përmbyll më 17 tetor me ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës dhe ai i Maqedonisë të marrëveshjes së
nënshkruar në distancë paraprakisht midis kryeministrave Hashim Thaçi e Nikola Gruevski.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›