Rrëshqitjet e tokës, 30 shtëpi në rrezik
Vazhdojnë rrëshqitjet e tokës në zonat rurale të Pogradecit, për pasojë dhjetëra banesa janë në rrezik shembjeje. Ndërkaq 30 familje në zonën e Lakteshit, të Mokrës, po mendohet të shpërngulen nga banesat, për të shmangur ndonjë fatkeqësi në rast avancimi të mëtejshëm të rrëshqitjeve. Për të mundësuar strehimin për shkak të zonës tepër të thellë në Mokër janë bërë gati çadrat dhe ka nisur evakuimi i një familjeje që ndodhet më pranë masivit të rrëshqitshëm. Po ashtu rruga e Moglicës vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të shembjes së urës lidhëse dhe sipas prefektit të Korçës Andrea Mano, duhet që në këtë zonë të ndërtohet një urë e re pasi nuk ka asnjë mundësi kalimi për mjetet dhe territori në këtë zonë është ende i rrëshqitshëm. “Këtë vit ka pasur më shumë përmbytje, edhe për shkak të reshjeve që kanë qenë më të shumta. Me sigurimin e një fondi nga ana e ministrisë së bujqësisë do të bëhet thellimi i shtratit të lumit Devoll nga Maliqi deri në Lozhan ku bëhet derdhja e këtij lumi për ti dhënë fund kësaj situate emergjente ku të paktën 2000 hektarë ndodhen nën ujë” thotë prefekti Mano.
#