Cirku i Tiranës në rrezik, artistët protestojnë
Cirku i Tiranës, i vetmi në vend, gjendet përballë rrezikut të mbylljes së tij, për shkak se truallit ku ai është ndërtuar i ka dalë pronari. Artistët dhe veteranët e këtij cirku kanë reaguar menjëherë, duke protestuar e duke kërkuar zgjidhjen e menjëhershme nga ana e autoriteteve shtetërore të çështjes së pronësisë së truallit të cirkut të metropolit.
Në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ia ka kthyer këtë pronë publike familjes Petrela në kryeqytet, të cilët në vitin 2007 ia kanë shitur atë administratorit të një universiteti privat. Por ky i fundit ka kërkuar largimin e çadrës së cirkut, pasi ka qëllimet e tij për të investuar në këtë pronë. Në të njëjtën kohë, për cirkun e Tiranës është investuar jo shumë kohë më parë nga bashkia e kryeqytetit. çadra e këtij cirku ka rreth 50 vjet që qëndron në të njëjtin vend. Por tani ndodhet përballë kërkesës për t’u zhvendosur. Artistët e cirkut, në një qëndrim publik, kanë kërkuar që cirku të mbrohet dhe në rast se është bërë ndonjë gabim nga ana e Komisionit të Kthimit dhe
Kompensimit të Pronës, ai të korrigjohet.
Kujtim Dume, i cirkut të Tiranës, shprehet se “ne kërkojmë që të anulohet ky vendim, sepse pronat publike kompensohen. Në rast se është bërë gabim, të rikuperohet”. Dume ka vijuar duke thënë se “ne kemi respekt për të gjithë pronarët, por ky është oborri ku zhvillon aktivitetin cirku i Tiranës. Në emër edhe të artistëve të tjerë të këtij cirku, ai ka kërkuar që ashtu siç mbrohen territoret ku janë ngritur çerdhet, kopshtet, shkollat apo spitalet, të mbrohet edhe cirku i Tiranës. Ai ka argumentuar se ky është një institucion shtetëror dhe si i tillë duhet të gëzojë mbrojtjen nga shteti.
Artistët e cirkut, në një konferencë për shtyp, i janë drejtuar edhe Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës, duke kërkuar prej tyre që të ndërhyjnë për të mos lejuar largimin e çadrës së cirkut nga vendi ku ajo është ngritur për herë të parë dhe ka funksionuar gjatë gjithë aktivitetit të këtij institucioni.
Pa dashur që të cenojnë të drejtën e pronarëve, artistët madje kanë paraqitur si zgjidhje edhe kompensimin e tyre. “Shteti i ka të gjitha mundësitë edhe ta blejë, edhe t'i kompensojë pronarët. Do të ishte e pafalshme që kjo hapësirë shpirtërore në qendër të Tiranës të mund të fshihej për ndërtim”, u shpreh dje Kiço Londo, drejtor i qendrës kulturore “Tirana”.
Sipas artistëve të cirkut, kjo çështje tashmë ndodhet në gjykatë, pasi pronarët e tokës kanë ngritur një padi kundër Bashkisë së Tiranës. Gjykata e Shkallës së Parë, pasi e shqyrtoi këtë çështje, u dha të drejtë pronarëve të tokës dhe vendosi në favor të tyre. Aktualisht dosja që do të vendosë nëse cirku i Tiranës do të mbyllet, apo do të qëndrojë, mbetet në duart e gjykatësve të Gjykatës së Apelit.
#