Rritja ekonomike e Shqipërisë, 1 % më e lartë se parashikimi
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar dje se, Shqipëria e ka mbyllur vitin 2010 me një rritje ekonomike në nivelin 3.5 për qind, ose me gati 1 për qind më shumë se parashikimi fillestar i FMN për vitin 2010, i cili parashihte një rritje në nivelin 2.6%. Gjithashtu, FMN ka rritur parashikimet për rritjen ekonomike edhe të këtij viti, ku në raportin e një ditë më parë, pritet që këtë vit ekonomia shqiptare të rritet me 3.4 për qind, ndërkohë që në fund të vitit që shkoi, rritja ekonomike këtë vit ishte parashikuar të rritej me 3.2 për qind, ose 0.2 për qind më pak. Të dhënat janë publikuar nga shefi i ekspertëve të FMN-së, Oliver Blashard, gjatë prezantimit të raportit të FMN-së, mbi zhvillimet e pritshme ekonomike botërore këtë vit. Fondi Monetar Ndërkombëtar karakterizohet nga konservatorizëm ekstrem në parashikime, edhe pse vetë i pranon shifrat më të larta. FMN e ka pranuar tashmë zyrtarisht se, ekonomia e Shqipërisë është rritur me 3.5 për qind me plot më shumë se 1 për qind se pritjet e institucionit për 2010. Kështu ka ndodhur çdo vit. Po të krahasojmë shifrat e rritjes reale të rritjes ekonomike në Shqipëri, në 10 vitet e fundit janë gjithmonë më të larta se parashikimet që vetë Fondi jep për këtë tregues. Sipas të dhënave të djeshme, ekonomia shqiptare do të përshpejtojë ritmet e rritjes në vitin 2012, ku parashikohet një nivel rritje prej 4%, ndërsa në vitin 2016, FMN-ja parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë 3,9%. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar, rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të jetë më e lartë se, ajo e vendeve fqinje, megjithëse parashikimet tregojnë se ritmet e rritjes ndryshojnë nga ekonomitë e avancuara tek ato në zhvillim. Në analizën e FMN-së konstatohet se rritja e ekonomisë botërore pritet të jetë këtë vit 4,5% dhe të ruhet ky nivel rritje edhe gjatë vitit të ardhshëm. Por ndërsa rimëkëmbja e ekonomisë globale po forcohet, ajo mbetet ende e pabalancuar dhe ekonomitë e zhvilluara duhet të procedojnë me rregullime fiskale, për një rimëkëmbje të mbështetur në baza, gjë që do të kërkojë rritjen e eksporteve nga vende si SHBA.
Ky mesazh është dhënë edhe nga shefi i ekspertëve të FMN-së Oliver Blashard, gjatë prezantimit të raportit të FMN-së. Ai ka theksuar se shqetësim janë rritja e çmimeve të mallrave të luksit, por për momentin nuk mendohet se kjo do të frenojë rimbëkëmbjen ekonomike. Por Blashard vuri në dukje gjithashtu një rënie të kërkesës për karburant, mungesën e indeksimit të pagave dhe pritshmërisë për ngadalësim të inflacionit në vendet e zhvilluara. Lajmi i keq është se, në pjesën më të madhe të ekonomive të zhvilluara prodhimi është ende larg potencialit, papunësia është e lartë dhe rritja e ulët ekonomike tregon se do të mbetet kështu edhe për vitet e ardhshme. Sipas FMN burimi për rritje të ulët daton përtej krizës së fundit financiare ndërkombëtare. Rënia e tregut të pasurive të patundshme ka ndikuar në investimet e ulta në tregun e strehimit në shumë vende, por sipas ekspertit të FMN-së Blashard, ekonomitë e avancuara kanë reaguar pjesërisht ndaj vërejtjeve të Fondit Monetar për më shumë transparencë rreth rrezikut të bilancit bankar dhe për të rishikuar rregulloret financiare dhe mbikëqyrjen. Gjithashtu FMN thekson se do të duhet shumë kohë që të fillojë të shihet suksesi i përpjekjeve për të përmirësuar ekonomitë e vendeve si Greqia, irlanda dhe Portugalia, megjithëse kriza financiare që përfshiu globin nuk ka lënë pasoja të pa riparueshmë tek ekonomitë e tregut në zhvillim.
Sipas të dhënave të djeshme, ekonomia shqiptare do të përshpejtojë ritmet e rritjes në vitin 2012, ku parashikohet një nivel rritje prej 4%, ndërsa në vitin 2016, FMN-ja parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë 3,9%
FMN, nëntor 2010
2010 2.6 %
2011 3.2%
FMN, prill 2011
2010 3.5 %
2011 3.4%
Parashikimi i PBB deri më 2016
2009 3.3
2010 3.5
2011 3.4
2012 3.6
2016 4.5