Karburantet, edhe një javë kohë
Karburantet e regjistruara në degën e Tatimeve në Tiranë kanë edhe një javë kohë për t‘i vendosur pajisjet fiskale. Udhëzimi i lëshuar nga Ministria e Financave u lë kohë një muaj subjekteve të regjistruara në rrethet e tjera. Megjithatë, nga vëzhgimet në terren duket se procesi do të vijojë sërish të shtyhet, pasi shumë subjekte nuk po munden t‘i vendosin kasat. Tjetër shqetësim lidhet me kalibrimin e kasave fiskale, e cila kërkon kohën e saj. "Ky është një proces që sapo ka nisur, është shumë teknik dhe nuk mund të vendoset për pak kohë", u shpreh Bledar Balla, drejtor ekzekutiv i AED-së. Por karburantet nuk janë bizneset e vetme që do pajisen me kasa. Ligji detyron të gjitha bizneset pjesë e TVSH-së, që brenda 31 dhjetorit të instalojnë pajisjet fiskale. Drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, sqaron se procesi po ecën me ritme të larta. "Në gjithë territorin janë shitur rreth 5350 pajisje fiskale, dhe ky numër duhet të arrijë në 8 mijë, duke marrë parasysh subjektet e detyruara për të pasur kasa fiskale", u shpreh Papajani. Kreu i tatimeve thotë se këtë herë procesi i pajisjeve me kasa është i pakthyeshëm, duke lëshuar edhe një paralajmërim për bizneset e duke u tërhequr vëmendjen se nuk bëhet fjalë për ligjin antiduhan. Për të nxitur konsumatorët që të marrin kuponë për çdo blerje që bëjnë, tatimet thonë se do të organizojnë një lotari kombëtare, periodike mbi bazën e numrave të kuponëve, ku qytetarët mund të kenë mundësi të fitojnë dhurata të ndryshme.