Berisha më frymëzoi të futem në politikë
Këngëtarja Çiljeta Xhilaga u rrëfye dje për herë të parë për angazhimin e saj politik dhe zgjedhjen si anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Që në fillim ajo pranoi se frymëzimi për t‘u marrë me politikën i kishte ardhur nga fjalimi i Sali Berishës në një emision. Xhilaga tha se anëtarët e Partisë Demokratike duhet të jenë të nderuar që kanë për kryetar një personazh të tillë. "Vazhdoj kontributin tim përmes këngës. Primare mbetet muzika, aty ku kam korrur sukses dhe e kam të pamundur të shkëputem nga muzika për shkak se jam pjesë e Këshillit Kombëtar", theksoi ajo. Bindjet e mia, vijoi Xhilaga, janë të djathta dhe kontributi im do të jetë në këtë parti, por pa hequr dorë nga ajo çka kam ndërtuar. "Unë kam ambiciet e mia në politikë dhe sapo kam hedhur një hap të rëndësishëm. Do të duhet kohë edhe për këtë", vlerësoi Xhilaga. E pyetur për kandidimin e mundshëm për deputete, ajo la gjithçka të hapur. "Model për mua mbetet çdo femër e angazhuar në politikë. Nga femrat e së djathtës gjithnjë më ka pëlqyer zonja Jozefina Topalli. Ajo është një femër e vetme dhe përballet me shumë njerëz në Kuvend, më bën ta admiroj", u shpreh Xhilaga. Pyetjes nëse do ndikojë ekstravaganca e saj në shfaqjen tanimë si politikane, Xhilaga tha se "ekstravagancën ose e pranon fusha e artit ose asnjë tjetër. Është diçka që e kanë bërë këngëtaret më të mëdha botërore. Jam një vajzë që kam ditur t‘i përshtat veshjen time skenës apo veshjen e ditës". Sipas saj, opozita ka një kryetar që është ndoshta më artist sesa unë, sepse ka mbaruar për Pikturë.