Prokurimet, Basha: Arrestimi, i drejtë
Prokuroria e Tiranës, gjatë hetimeve të saj, mendon se në skandalin e tenderit të uniformave në Ministrinë e Brendshme janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Gjatë përgjimeve disamujore rezultoi se kishte elementë të veprës penale vetëm për gjashtë të arrestuarit e parë në lidhje me skandalin, por të përfshirë në afera korruptive ka edhe persona të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive. Zyrtarët e arrestuar kishin të paktën katër vjet që ushtronin funksionet publike në Ministrinë e Brendshme dhe janë anëtarë të shumë tenderëve me karakter të njëjtë, që do të jenë pjesë e verifikimit të prokurorëve të Tiranës, të cilët e kanë marrë në dorë këtë çështje. Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, nuk pranon që arrestimi i zyrtarëve ka qenë i vonuar, por ka lënë të kuptohet se u është dhënë hapësirë metodave të specializuara, çka nënkupton përgjimet ndaj tyre.
"Ky operacion është i koordinuar, ashtu si çdo operacion tjetër, e vepron në parametrat më të lartë të veprimtarisë së strukturave përkatëse", u shpreh Basha.
Ndërsa për sa u përket arrestimeve të reja të pritshme të paralajmëruara nga Prokuroria e Tiranës, Basha u përgjigj se jo vetëm në Ministrinë e Brendshme do të ketë arrestime, por edhe në pjesë të tjera të administratës në kuadër të luftës antikorrupsion. Dje u dhanë masat e sigurisë për gjashtë të arrestuarit. Gjykata u ka komunikuar tre zyrtarëve të ministrisë masën e arrestit me burg, ndërsa një nga tre biznesmenët u la në arrest shtëpie.