Meksi: Kriza, qeveria e papërgjegjshme
Selia rozë akuzoi dje për papërgjegjshmëri qeverinë shqiptare në menaxhimin e buxhetit të shtetit. Deputetja socialiste, Ermelinda Meksi, vuri në dukje se PS denoncon qëndrimin krejt pa përgjegjësi të Kryeministrit të kutive të pahapura dhe vartësve të tij, sipas të cilit "kriza është thjesht një ëndërr e keqe nate", apo deklarimin e tij sa euforik dhe të pavërtetë, se "këtë vit rritja e të ardhurave ka qenë 7-8 për qind". Dhe se po bëjmë një përpjekje të madhe që ta mbyllim vitin me 3.9 për qind të deficitit". Sipas të dhënave të mbledhura nga PS dhe institucionet, të ardhurat buxhetore si 11-mujor kundrejt vitit të kaluar janë rritur vetëm prej 2.2 për qind, kurse deficiti buxhetor është rritur 2.94 herë, duke arritur jo 3,9% të PPB, siç pretendon Kryeministri po rreth dy herë më shumë. "Kjo do të thotë se rritja e të ardhurave buxhetore 2,1%, kur rritja e inflacionit është 2,3%, i dedikohet vetëm rritjes së çmimeve, duke përgënjeshtruar qeverinë për rritjen e pretenduar ekonomike prej saj në nivelin 5-6%, por 0%, madje më pak se 0 (sepse është 2,2%-2,3%), në kushtet kur përjashtohet çdo efekt i përmirësimit të administrimit fiskal", tha Meksi.