E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karburantet, tjetër rekord, nafta arrin 198 lekë/litri

Karburantet kanë prekur dje një rekord të ri, duke shënuar çmime stratosferike. Një litër benzinë në Tiranë u shit në pikat e karburantit 199 lekë, ndërsa një litër naftë 198 lekë. Për herë të parë, çmimi i karburanteve arrin në vlera të tilla duke konfirmuar kështu shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë se 2012-ta do të jetë një vit fatal. Sot, me këto çmime qytetarët ndodhen para dilemës së mbajtjes apo jo të një automjeti, kurse biznesi nga ana tjetër është i detyruar që të prodhojë me një kosto më të lartë. Nga viti 2008, çmimet e karburanteve kanë njohur vetëm rritje dhe luhatje, ndërkohë që rekordi i tyre i fundit është shënuar në fillim të këtij viti. Në atë kohë u lakua shpesh edhe ndikimi i takës së qarkullimit, e cila me gjithë TVSH-në vilet nga nafta në masën 8.4 lekë për litër.
Çmimet
Çmimet e karburanteve nuk kanë qenë pothuajse asnjëherë stabël prej disa vitesh tashmë, situatë kjo e provokuar në shumicën e rasteve nga ndryshimet në bursë dhe më pak nga politikat fiskale. Duke qenë se vendi ynë një pjesë të mirë të karburanteve e importon kjo e vendos atë në ndikim të drejtpërdrejtë të presionit që kalojnë tregjet ndërkombëtare. Çmimet hera-herës kanë prekur nivelin 195 lekë/litri për karburantet, por asnjëherë niveli i tyre nuk ka qenë sa këto ditë, ku gati të dyja, si nafta dhe benzina, po shiten 200 lekë/litri. Importuesit pohojnë se rritja është një efekt total i bursës, ndërkohë që shtrenjtimi i pak javëve më parë ishte për efekt të përfundimit të rezervave në vend dhe hyrjes së karburantit me taksën e re të zbatuar që nga 1 janari. Në fakt, një rritje e mundshme në këto nivele ishte e pritshme në kohën kur alarmin për këtë problem e kanë dhënë edhe institucione ndërkombëtare, siç ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar, më pak se një muaj më parë. Shtrenjtimi i çmimeve të karburanteve ka prekur rëndë buxhetet e familjarëve, ndërkohë që akoma më shumë jep efekt te biznesi i cili detyrohet që të prodhojë me kosto më të larë. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi në një raport të fundit se rritja e çmimeve të karburanteve do të ngadalësojë rritjen ekonomike të vendeve.

Nafta u rrit me 4 USD në bursë
Çmimi i naftës në Bursën e Londrës, e cila merret edhe si referencë për blerjet e importuesve shqiptarë, dje pati një rritje të shpejtë çmimi. Nga mesnata e një dite më parë, kur bursa u mbyll me 122 dollarë/fuçia, gjatë mbrëmjes së djeshme çmimi arriti mbi 126 dollarë/fuçia. Rritja brenda dite vlerësohet të ketë qenë në nivelin 2.8 për qind dhe kjo për ekspertët nuk është aspak inkurajuese. Rritja e çmimit në bursa u faturohet tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme. Për ekspertët, tashmë është e pamundur që çmimet në bursë mos të jenë kaq surprizuese, pasi ato kanë dalë jashtë kontrollit për shkak të krizës së eurozonës, prodhimit më të pakët të OPEC-ut dhe tensioneve.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›