Lagarde Ekonomia boterore drejt stabilitetit

Kreu i FMN-së pas shumë shqetësimeve të mëparshme mbi ecurinë e ekonomisë ndërkombëtare, tashmë po shpreh optimizmin mbi krizën globale. Po fillojnë të shfaqen shenja të stablitetit dhe zbutje të krizës ekonomike në disa pjesë të botës. Kështu ka deklaruar drejtoresha e FMN, Christine Lagarde, në vizitën e saj dy ditore në Kinë, duke iu referuar skenarit ekonomik botëror. Masat e ndërmarra nga BE dhe SHBA po shkojnë në drejtimin e duhur ka thënë Lagarde, duke shtuar se vijojnë të mbeten ende dobësi të mëdha. Ekonomia globale mund të jetë në rrugën e rimëkëmbjes por nuk ka shumë hapësira për manovrime dhe gabime të politikës. Perspektivat ekonomike ka thënë shefja e FMN tashmë janë më pak të zymta. Për këtë ka deklaruar presidentja e institutit të Uashingtonit, ekonomia botërore është tërhequr nga buza e greminës dhe kjo na bën të jemi më optimistë. Më tej ajo ka shtuar se ky optimizëm nuk duhet të na japë një sens rehatie dhe sigurisht nuk duhet të flemë në një sens të rremë të sigurisë. Sipas saj rimëkëmbja globale duhet të jetë një maratonë. Vendet e zhvilluara duhet të fuqizojnë sistemin e tyre financiar dhe të përballojnë borxhin e zgjeruar, ndërsa vendet në rrugën e zhvillimit duhet të përmirësojnë mbrojtjet e tyre kundër lëkundjeve që vijnë nga jashtë, ka sugjeruar Christine Lagarde. Liderët europianë ka rekomanduar ajo, duhet të jenë më vigjilentë mbi cështjen e borxhit publik dhe duhet të përqëndrohen mbi një aplikim të masave financiare në mënyrë konstante dhe të fuqishme e njëkohësisht duhet të kontrollojnë me vëmendje situatën ekonomike të Greqisë. Javën e kaluar FMN ka aprovuar kredinë prej 28 miliardë euro për Athinën për katër vitet e ardhshme.