Karburanti, Malaj akuza qeverisë për monopol
Tiranë- Çmimi i lartë i karburanteve në vendin tonë, kur tregjet ndërkombëtare shënojnë uljen më të madhe të 10 viteve të fundit, ka nxitur deputetin e PS-së, Arben Malaj të mbajë qendrim ndaj këtij problemi të madh për konsumatorin shqiptar. Ish-ministri i Financave akuzoi qeverinë se po favorizon monopolin në tregun e karburanteve, duke e argumentuar këtë me ecurinë e çmimeve në tregun vendas.
“Duket që ju jeni të kapur dhe jeni të kapur tek pjesa më kriminale. Nuk dihet nëse është monopol, korrupsion, kontrabande apo thesi i hapur i fushatës elektorale”, u shpreh deputeti Malaj.
Akuzave të Malajt i është përgjigjur ministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas tij qeveria nuk ka ndermend të ndërhyjë tek distributorët për uljen e çmimit. “Ne nuk imponohemi, është vetë tregu ai që i përcakton çmimet, ndërsa detyra e qeverisë është vetëm të mbledhë taksat”, tha Bode.
Sipas tij nuk është normale që një qeveri e djathtë liberale të merret me përcaktimin e çmimeve në treg. “Meqe kujtoni se ka fitime të mëdha, mund të futeni në treg dhe t’i merrni ju ato që i quani fitime të padrejta të biznesit”, u shpreh Bode.
Shoqata e Konsumatorëve pak ditë më parë publikoi një raport që i cilësonte krejtësisht abuzive çmimet e karburanteve në vend. Po kështu edhe media ka gjurmaur mbi fitimet spekulative të karburanteve, që aktualisht i blejnë produktet me të lirë, pasi i tillë është tregu në botë (nafta me 40 dollarë për fuqi) dhe i shesin disafish. Aktualisht në pikat e karburantit në Tiranë një litër naftë është me 130 lekë.