E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kardiokirurgjia, pacientët, në radhë për shtretër të lirë

Eglantina Bardhi

Shërbimi i Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është i tejmbushur me pacientë duke kaluar të gjitha kapacitetet e mundshme në këtë shërbim. Prej disa ditësh në pavion shtrohen vetëm rastet urgjente që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa pacientët e tjerë duhet të presin në shtëpitë e tyre derisa një shtrat të jetë i lirë në këtë shërbim. Problemin e pohojnë vetë pacientët apo edhe të afërm të tyre, të cilët shprehen se u ka ndodhur që ti lënë familjarët tre netë në urgjencë e pastaj ti marrin me vete në shtëpi, për tu kthyer e për tu bërë mjekimin tre herë në ditë rregullisht për shkak të mungesës së shtretërve.

Mjekët

Nga ana e vet, shefi i shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, thekson se kjo situatë është shumë shqetësuese. Po përballemi me fluks pacientësh. Jemi të detyruar të pranojmë vetëm rastet urgjente. Kemi paraqitur në drejtori një kërkesë për shtimin e kapacitetit të shërbimit me 30 shtretër, sespe e kemi të pamundur të përballojmë fluksin. Pacientët vijnë nga të katër anët e vendit, madje ka edhe shumë kosovarë, pohon ai, duke shtuar se shërbimin e terapisë intensive e kanë të mbushur plot.

Prifti thotë se një nga arsyet e fluksit të pacientëve është zgjerimi i gamës së operacioneve në këtë shërbim, që nënkupton fëmijë nga dy muajsh e deri mbi 80-vjeçarë.

Por nuk është vetëm kjo. Sipas shefit të shërbimit të Kardiokirurgjisë, ky shërbim vazhdon të punojë me të njëjtën infrastukturë si në vitin 1990, çka e bën shumë problematike situatën. Kemi më shumë se 3 operacione në ditë. Po mundohemi të përballojmë fluksin e pacientëve, por është shumë e vështirë. Gjëja që shpresojmë aktualisht është që të na merret në konsideratë kërkesa për shtimin e shtretërve, pasi në të kundërt nuk e dimë se si do tia bëjmë, pohon Edvin Prifti. Ai thekson se shërbimi që  drejton ka nevojë edhe për më shumë buxhet se vitet e  kaluara dhe për teknologji më të re se ajo që ka aktualisht.

Kushtet

Numri i madh i banorëve të kryeqytetit, mungesa e një spitali rajonal, por edhe rritja e rasteve të të prekurve nga sëmundjet e zemrës dhe ardhja e pacientëve nga rrethet renditen si shkaktarët kryesorë të mbingarkesës aktuale në pavijonin e kardiologjisë.

Në këtë pavion jemi të detyruar të shtrojmë 4 pacientë në një dhomë, ndonëse kapaciteti është për më pak pacientë. Mendoj se do të kemi mbështetje për ta ndryshuar këtë situatë, sepse është një shërbim shumë i rëndësishëm. Pacientët me zemër operohen, shumica ia del me sukses dhe i rikthehen jetës normale, pohon Edvin Prifti. Por megjithëkëtë ata kanë nevojë që gjatë kohës së qëndrimit të tyre në spital të kenë kushte minimale. Ndërsa nuk po pretendohet për luks, një krevat është gjëja e nevojshme. Lidhur me operacionet në zemër, shefi i kardiokirurgjisë shprehet se këtu bëhen deri në 4 mijë ndërhyrje në vit.

Komisioni i Shëndetësisë: Shumë para në spitalet bosh

Buxheti i shëndetësisë është i pamjaftueshëm dhe qeveria vazhdon të mos e ketë përparësi këtë sektor. Ky ishte thelbi i debatit dje në komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë ku u diskutua mbi buxhetin e shëndetësisë. Deputetët e opozitës kanë kërkuar nga ministri Petrit Vasili të shpjegojë nëse buxheti i miratuar nga Qeveria është i mjaftueshëm, pasi këtë vit janë parashikuar vetëm 300 milionë lekë më shumë nga buxheti i vitit 2011, vit ky i cili shënoi krizë në sektorin e shëndetësisë.

Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, kërkoi shpjegime se përse financohen spitalet rajonale ku shfrytëzimi i shtretërve është më pak se 40 për qind, ndërkohë që normat e Bashkimit Evropian duhet të jenë minimumi në 75 për qind shfrytëzimi i shtretërve. Sipas saj, në këtë mënyrë shpenzohet shumë drejt këtyre spitaleve, ndërkohë që në spitalet ku shfrytëzimi i shtretërve është shumë herë më i madh, nuk ka financime të mjaftueshme. Lidhur me këtë çështje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi se kjo problematikë është evidente dhe se strategjia ka qenë që spitalet që kanë shfrytëzim shumë të vogël të kalojnë në spitale ditore ose në spitale që presin urgjenca. Megjithatë, ai theksoi se nuk janë bërë investime të mëdha në këto spitale.

Një pretendim i tillë u hodh poshtë nga deputeti socialist, Eltar Deda. Ky i fundit kërkoi shpjegime në lidhje me blerjen e disa aparaturave shumë të shtrenjta, si: skaner dhe rezonancë magnetike dhe vendosja e tyre në spitale ku nuk ka specialistë për ti përdorur, çka nënkupton që ato janë thjesht shpenzime pa asnjë përfitim për të sëmurët. Ju, zoti ministër, keni dërguar në spitalin e Vlorës skaner dhe rezonancë magnetike, por nuk e di nëse e dini se në atë spital nuk ka asnjë specialist që ti përdorë, duke bërë që ato aparatura të mbeten aty dhe të shpenzohen miliona për blerjen e tyre. Mund të më thoni, zoti ministër, këto aparatura kush mund ti përdorë në Dibër, pyeti deputeti Deda, duke shtuar se një veprim i tillë çon në shpërdorim të fondeve. Gjithashtu, ai theksoi se është pikërisht paaftësia e Ministrisë së Shëndetësisë për të thithur më shumë buxhet që e ka lënë këtë të fundit në shifra kaq të ulëta, pasi specialistët e ministrisë janë të dështuar dhe nuk dinë të paraqesin projekte dhe strategji për këtë sektor. Ju, zoti ministër, duhet të pranoni se prezantimi juaj është i falimentuar dhe se zëri yt nuk mund të depërtojë deri në qeveri, sepse kjo e fundit është më e interesuar për të dhënë buxhet për rrugët, sepse drejtuesit këtu mund të vjedhin më shumë sesa në buxhetin e shëndetësisë, tha deputeti socialist.

Nga ana e vet, deputeti i PD-së, Flamur Noka, i është përgjigjur problematikës së ngritur nga deputeti vlonjat me shprehjen se ky i fundit është si partizani i vogël Velo dhe i ka kërkuar kreut të komisionit të ndërpresë debatin në komision.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›