E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLASI SYRI I KEQ?

Luis Tanushi  /

Denis Dedej

Mazhoranca dhe opozita duket se kanë arritur për herë të parë një marrëveshje që do të thyejë krizën që ka bllokuar institucionet prej gati tre vitesh. Në mbledhjen e djeshme të konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare, sikur në këto tre vjet të mos ketë ndodhur asnjë dhe palët të mos kenë asnjë konflikt, është vendosur me konsensus miratimi i tre projektvendimeve për reformën zgjedhore, ndryshimin e rregullores së parlamentit dhe ligjet me 84 vota. Ato janë firmosur nga Gramoz Ruçi për PS-në dhe Astrit Patozi për PD-në duke i hapur rrugë miratimit formal në Parlament.

Kërkesa për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore u miratua me unanimitet, ashtu si dhe ngritja e grupit të punës për rishikimin e Rregullores së Kuvendit, duke marrë si model Rregulloren e Parlamentit Evropian. Nga ana tjetër, opozita pritet që të japë pëlqimin që këtë të enjte edhe për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Ne unanimitet u miratua edhe kalendari i propozuar nga kryetarja Jozefina Topalli.

Marrëveshja e arritur dje nga mazhoranca dhe opozita ishte produkt i disa takimeve jozyrtare ndërmjet grupeve të ngarkuara nga dy forcat për të zhvilluar negociata. Mazhoranca ka pranuar kalendarin e PS që dorëzoi disa ditë më parë në Komisionin e Ligjeve lidhur me miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5, ndërkohë që PS ka pranuar propozimin e demokratëve për të përshtatur rregulloren e Kuvendit me atë të BE, pra ndryshe nga drafti fillestar që ka dorëzuar PS në Kuvend. Sigurisht këto pika do të jenë pjesë e propozimeve të socialistëve gjatë diskutimeve.

Prej një muaji, Viktor Gumi dhe Oerd Bylykbashi për PD-në si dhe Vasilika Hysi dhe Damian Gjiknuri për PS kanë caktuar teknikalitetet e marrëveshjes së arritur dje në Konferencën e Kryetarëve. Dy dreka pune janë zhvilluar në praninë e ekspertëve të Komisionit të Venecias çka u konfirmua edhe prej të dërguarve të lartë të Këshillit të Europës. Për pasojë, edhe deklaratat pas mbledhjes së djeshme dt Konferencës së Kryetarëve ishin tepër optimiste nga të dyja palët. Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi deklaroi për mediat se miratuam me konsensus ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe një axhendë diskutimesh për një pjesë të projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave. Më optimiste u shpreh kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila në një konferencë për shtyp të dhënë menjëherë pas përfundimit të takimit. Sipas Topallit, Konferenca vendosi me unanimitet zhbllokimin e situatës që ka penguar për më shumë se dy vjet procesin e integrimit. Unë shpresoj shumë që ligjet që kërkojnë 3/5-at do të shqyrtohen me seriozitet dhe do miratohen sipas Kalendarit të miratuar nga Konferenca. Shpresoj dhe uroj që mirëkuptimi i arritur sot në Konferencë për ngritjen e Komisionit parlamentar për Reformën zgjedhore do të vazhdojë të jetë në themel të punës së këtij komisioni. Unë jam e sigurt që ekspertët juristë të Kuvendit do të prodhojnë të gjitha draftet e nevojshme të Rregullores për ta çuar më tej konsolidimin e praktikave të demokracisë parlamentare, theksoi kryeparlamentarja Topalli.

Tryezat për reformën, emrat që do dërgojnë partitë

Tre vendimet e miratuara dje në konferencën e kryetarëve do të miratohen zyrtarisht në seancën plenare të ditës së enjte së bashku me emrat e personave që do të marrin pjesë në komisione. Por që ditën e djeshme të gjitha partitë politike kanë nisur me caktimin e personave që do ti përfaqësojnë. Shekulli ka kontaktuar dje me përfaqësuesit e partive dhe ka arritur që të sigurojë disa nga emrat që do të caktohen në komisionet e reformës.

Kështu socialistët do të përfaqësohen në komisionin e reformës për rregulloren e Kuvendit me Ditmir Bushatin dhe Namik Doklen. Nga mazhoranca ende nuk ka emra zyrtarë, por priten që të jenë deputetë me eksperiencë në jetën parlamentare. Sipas draftit, grupi i punës përbëhet nga 4 anëtarë, 2 nga shumica dhe 2 nga opozita parlamentare.

Reforma Zgjedhore do të ketë edhe numrin më të madh të anëtarëve. Partia Socialiste do të kenë anëtarë Vasilika Hysi, Damian Gjiknuri, Arben Isaraj dhe Armando Subashi. Nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pritet që të jetë kryetari i kësaj force Vangjel Dule ose një ekspert i caktuar prej tij. Nga demokratët priten që të jenë Viktor Gumi dhe një tjetër përfaqësues i mazhorancës ku më i përfolurit janë Oerd Bylykbashi dhe Ilir Rusmali. Republikanët do të përfaqësohen nga Arjan Madhi, i cili është një nga ekspertët e kësaj force që ka marrë pjesë në të gjitha reformat e mëparshme zgjedhore, ndërsa PDIU me Gazmend Osmani, i cili përfaqësoi këtë forcë politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ende nuk dihet cili do të jetë përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ku emrat më të diskutuar janë Luan Rama, Ylli Manjani dhe Spartak Braho.

Nga ana tjetër, të gjitha forcat politike kanë nisur negociatat edhe për ekspertët që do të qëndrojnë jashtë tryezës, por që do të japin mendimin e tyre në lidhje me reformat. Burime nga Partia Socialiste thanë dje se paralelisht me komisionin për reformën zgjedhore që do të ngrihet në Kuvend, do të punohet me një nga ekspertësh në selinë rozë. Secili prej këtyre të fundit do të fokusohet në tematika të veçanta, siç është sistemi, dita e zgjedhjeve, procesi i numërimit dhe mënyra e votimit. E njëjta strategji do të përdoret edhe nga demokratët.

Në tryezë pritet që të ulen edhe ekspertët e OSBE-ODIHR-it, përfaqësues të BE-së si dhe përfaqësues të komisionit të Venecias. Këta do të kenë edhe rolin e arbitrit pasi në rast mosmarrëveshjes mes forcave politike, vendimi do të merret nga ndërkombëtarët.

Reforma zgjedhore

Komisioni do të ketë për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor bazuar në rekomandimet e raporteve të OSBE/ODHIR për zgjedhjet e vitit 2009 dhe ato të vitit 2011.

Komisioni do të ketë dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD. Ai do të ketë dhjetë anëtarë të ndarë sipas kësaj formule PD 2 anëtarë, LSI, PR dhe PDIU nga 1 anëtar secila; Opozita: PS 4 anëtarë, PBDNJ 1 anëtar)

Komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor.

Komisioni do të krijojë grupin e ekspertëve teknikë. Në komision ftohen të ndjekin dhe të japin asistencë prezenca e OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias.

Çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Mazhoranca mirëpret propozimet e opozitës të bazuara në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe palët angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to.

Në rast se nuk arrihet konsensus, do ti kërkohet asistencë OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm të paktën gjashtë anëtarë.

Miratimi i vendimeve nuk bëhet më votim të thjeshtë. Një vendim duhet të marrë më parë miratimin e PD-së dhe PS-së e më pas të kalojë me shumicë votash.

Kohëzgjatja e komisionit do të jetë tre muaj. Afati mund të shtyhet me kërkesë të arsyetuar të bashkëkryetarëve.

Komisioni për reformën parlamentare

Grupi i Punës ka për detyrë rishikimin dhe përmirësimin e Rregullores së Kuvendit, duke pasur si model referimi Rregulloren e Parlamentit Europian dhe rekomandimet e Komisionit Europian.

Grupi i Pun

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›