E Diel, 1 Nëntor 2026

Karlos Keiroz eshte trajneri i ri i kombetares se Iranit

Karlos Keiroz është trajneri i ri i kombëtares së Iranit. Trajneri portugez ka qenë dje në Teheran ku ka firmosur një kontratë tri vjeçare me synimin e qartë për ta çuar skuadrën aziatike në fazën finale të Kupës së Botës 2014, që do të zhvillohet në Brazil.

Ish-trajneri i Portugalisë dhe Realit të Madridit, e refuzoi ofertën e parë të Iranit në muajin shkurt, sepse familja e tij nuk donte të jetonte në Teheran. Keiroz u bë i famshëm në fillimin e viteve 2000 kur nisi të punojë si zëvendës i Sër Aleks Fergusonit te Mançester Junajtid.

Gareth Bejl-Kristiano Ronaldo, ky do të jetë dueli që ka të ngjarë të përcaktojë fatet e sfidës së Championsit mes Totenhemit dhe Real Madridit.

Uellsiani Bejl, ka respekt maksimal për kundërshtarin. “Do t’i kërkoj fanellën Kristianos. Për mendimin tim ai është një lojtar unik, që mund të fitojë ndeshjen krejt i vetëm. Uroj që kjo të mos ndodh ndaj nesh,” – tha Bejl, i cili ka përfunduar në qendër të dëshirave të merkatos së klubeve më në zë të Europës. Reali dhe Totenhemi janë dy klubet që kanë shënuar më shumë në këtë edicion të Championsit me nga 19 gola secila skuadër.

Triumfi ndaj Interit në derbin, ndryshon planet e Milanit në merkato. Drejtuesit kuqezi janë gati t’i porpozojnë Klarens Sedorfit rinovimin e kontratës. Holandezi dukej se do të largohej në muajin qershor, por fakti që ka qenë më i miri në fushë ndaj Totenhemit dhe Interit ka bërë kthesën radikale. Milani do të propozojë Sedorfit një kontratë një-vjeçare me të drejtën e shtyrjes edhe për një sezon tjetër. I njëjtin diskutim vlen edhe për Van Bomelin. Trajneri Alegri ka deklaruar haptazi se dëshiron t’i ketë të dy holandezët në mesfushën e Milanit për sezonin e ardhshëm. Tani mbetet për t’u parë çdo të ndodhë me Pirlon, Ambrozinin dhe Gatuzon.

Paraguaji ka mposhtur Brazilin favorit duke fituar titullin botëror në futvolei, gjatë veprimtarisë së zhvilluar në Rio De Zhaniero. Me Brazili luajti edhe ish-fituesi i ”Topit të artë”, Romario. Ky sport është një ndërthyrje e futbollit me volejbollin dhe ka shumë fansa në Amerikën Latine. Spanja, Italia, Franca, Portugalia dhe Argjentina ishin skuadrat e tjera që morrën pjesë në veprimtarinë e fituar nga paraguajanët. Në këtë sport, ekipet kanë nga katër lojtarë, ndeshjet zgjasin 30 minuta, ose mbyllen më shpejt nëse një skuadër shënon 25 pikë. Lojtarët nuk lejohen ta prekin topin me dorë. Ky sport ka lindur pikërisht në Rio De Zhaneiro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›