S’ka paqë me Standardin, pa u kthyer Paskajorja

Gjuha & Shkrimtari/ Ne duam të kemi një Gjuhë të madhe Kombëtare? Si mund ta kemi këtë pa Paskajoren? Deri më tash e kemi pasur dhe e kemi Skajore, por jo Paskajore. Rezoluta thotë: “Të shikohet mundësia e kthimit të paskajores gege...” Ndërsa duhet shtruar kështu: “Kur tri të katërtat e popullsisë shqiptare që flet shqip, lindin e rriten me paskajore në gjak e në gjuhë, atëherë duhet përgatitur mirë terreni i kthimit të Paskajores së përzënë kriminalisht nga Gjuha Shqipe. Të tjerat janë kozmetika, tualete, çikërrima. Pa to mund të bëhet. Por pa Paskajoren JO!”, - thotë Tufa në këtë intervistë ekskluzive, një ditë pasi është mbyllur konferenca shkencore mbajtur në Durrës, për rishikimin dhe pasurimin e “standardit”. Është një nga propozimet më të guximshme pas 20 vitesh, prej së cilës në gegënisht bashkë me veprën u ekzekutuan dhe shkrimtarë në diktaturë
“Asgjë nuk mund të vendosë paqë në çështjet e Standardit të shqipes letrare pa u kthyer Paskajorja”. Ky pohim i shkrimtarit, filologut, Agron Tufa, i cili vjen një ditë pasi është mbyllur konferenca shkencore mbajtur në Durrës për rishikimin dhe pasurimin e “standardit”. Dhe, nuk na duket rastësi ai proces i domosdoshëm evolutiv, natyral i gjuhës që ngjet në veprën e një shkrimtari dhe ekzistencën e tij. Kemi parahistori në këtë debat, para se të vinte “e vërteta e trishtë diktatoriale; gjuha e fituesit shkatërron gjuhën e të mundurit”. Duke e cilësuar si “krijesë edipale” gjuhën e njësuar letrare që prodhoi diktatura,Tufa parasheh kohën që do të duhet për ta shëruar “nga komplekset e fajësisë, krimit, dhe incestit”. Përballë masakrës që i bëri diktatura gjuhës dhe veprës së shkrimtarit, Tufa tretet në një moment të sotëm dilematik për t’u besuar se asgjë, asnjë lloj konference, debati, shqyrtimi, qasjeje, përplasjeje - “asgjë nuk mund të vendose paqë në çështjet e Standardit të shqipes letrare pa u kthyer Paskajorja”. Kjo është zemreku i shqipes, e hequr nga gegnishtja në diktaturë.
Por kjo është dhe pika 8 e përfundimeve të konferencës shkencore që u bë në fundjavën që shkoi në Durrës, që për shkrimtarin duhej të kishte qenë fillimi dhe konkluzioni i të gjitha diskutimeve. Megjithatë, dihet tanimë hezitimi për këto çështje, ku edhe reagimi i fanatikëve të “standardit” ishte një kumtesë në apogje të “shqipes së njësuar” nga kongresi i ‘72-shit. Edhe vetë konferenca e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike deri në mbërritjen e pikës 8 të përfundimeve - që thotë “të shikohet mundësia e paskajores gegë...” - nuhatej se ka pasur hezitim, por njëkohësisht ka ndërtuar edhe strategji mbi këto trajtesa kaq thelbësore për një gjuhë të shkatërruar me dhunë shtetërore. Indoktrinimi i gjuhëtarëve, frika, terrori i la cullak përpara të vërtetave shkencore aty ku idetë për shqipe të përbashkët ishin hedhur fill pas krijimit të alfabetit. Si çdo proces që ka vijuar në Shqipëri pas diktaturës, ndjekur nga hije frike përballë kundërshtimeve të epërme të mbeturinave komuniste duke tejzgjatur kohën që në fakt kishte humbur, edhe debati për gjuhën nuk bënte përjashtim.
Këtë vëren edhe shkrimtari Agron Tufa, kur e diskuton çështjen në rrafshin akademik, pse gjuhëtarët e morën kaq ngadalshëm procesin e rishikimit të standardit, ku tanimë nuk mund të ketë asnjë diskutim tjetër dhe nuk i takon asnjë çështjeje gjuhësore të ngrihet para Paskajores. “Ne duam të kemi një Gjuhë të madhe Kombëtare? Si mund ta kemi këtë pa Paskajoren? Deri më tash e kemi pasur dhe e kemi Skajore, por jo Paskajore. Rezoluta thotë: “Të shikohet mundësia e kthimit të paskajores gege...” Ndërsa duhet shtruar kështu: “Kur tri të katërtat e popullsisë shqiptare që flet shqip, lindin e rriten me paskajore në gjak e në gjuhë, atëherë duhet përgatitur mirë terreni i kthimit të Paskajores së përzënë kriminalisht nga Gjuha Shqipe. Të tjerat janë kozmetika, tualete, çikërrima. Pa to mund të bëhet. Por pa Paskajoren JO!”, - thotë Tufa në intervistën ekskluzive për “Standard”. Kjo mbetet një nga propozimet dhe shqyrtimet më thelbësore për shqipen sot për sot, që do të tronditë fort gjithë strukturën gramatikore të ndërtuar “me transplantim” nga diktatura.
Kur po qarkullojnë ide dhe ka debate për “rishikimin e standardit”, për ju si shkrimtar, sa ju intereson, është një realitet për ju, keni një vepër të shkruar…?
E rëndësishme është se ideja për “rishikimin e standardit” të GjNjL (Gjuhës së Njësuar Letrare) ka kohë që qarkullon, kryesisht nëpër rrethet letrare, shkencore e kulturore, duke prekur herë-herë edhe institucionet qendrore akademike e mediat serioze (pavarësisht nervozizmit e përpjekjes për ta shmangur debatin në periferi). E rëndësishme është që koha e “rishikimit” të standardit nuk paraqet më probleme justifikuese “madhore”, të karakterit koniunkturor ideologjik, kombëtar e patriotik. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, edhe tabuja e debatit mbi GjNjL-në ka rënë. Askush nuk mund të sulmohet më publikisht si “përçarës kombëtar” që “çon ujë në mullirin e serbëve”, pse guxon të shtrojë problemin themelor të krijesës më të rëndësishme të shkencës së diktaturës - Gjuhën e Njësuar Letrare. Kjo “përkujdesje patriotike” ka kumbuar shpesh nga ata shkencëtarë dhe linja e trashëgimisë së tyre, të cilët në vitin 1972 as që i bënin hesapet patriotike të një realiteti të ardhshëm kombëtar, ku raportet numerike e regjionare të folësve të shqipes do të ishin 3:1 në favorin e gegnishtes.
Si në periudhën komuniste para e gjatë – drejt vitit 1972, ashtu edhe në debatet pas vitit 1990, asnjëherë, në asnjë instancë të institucioneve shkencore, që kanë provuar (pa sukses) të debatojnë mbi gjuhën dhe standardin e saj, nuk është marrë parasysh mediumi më i rëndësishëm i krijimit dhe mbajtjes gjallë të gjuhës – shkrimtari. Jam krejt dakord që “shkrimtari” është një kategori si tepër e përgjithësuar në lidhje me një debat, që pretendon të jetë shkencor. Por po aq i përgjithshëm është edhe “gjuhëtari”. Të paktën, për aq historik sa ka rrahja e çështjeve të standardit para vendosjes së diktaturës komuniste, pjesëtarët e komisioneve apo komisive kanë pasur status të dyfishtë, si krijues (poetë, prozatorë, përkthyes) dhe si studiues e gjuhëtarë (Fishta, Mjeda, Konica, Prenushi, Noli, Xhuvani, Justin Rrota etj.), përfshi edhe albanologët e huaj. Duke e pasur këtë status të dyfishtë, si shkencëtarë e si krijues, ata kishin dhe ndjeshmërinë të mos dilnin në përfundime aq psikopatike, siç ndodhi me GjNjL-në e vitit 1972.
Gjatë sundimit komunist nuk u pasqyrua ky kombinim dhe, si duket, as sot nuk përfillet, ngase nuk mund të themi për shkencëtarët e sotëm që kanë status të dyfishtë të “shkencëtarit me shkrimtarin”, anipse të tillë gjenden plot e mund të përfshiheshin e madje mund ta sillnin debatin në thelbin me të dhembshëm të tij. Inerci postkomuniste? Mendoj se po. Akoma nuk janë shlyer nga përfytyrimet mbrapshti të tilla që gjoja me problemet e gjuhës duhet të merret vetëm “gjuhëtari”! Atëherë i bie të ngujohemi në një situatë absurde: “Gjuhën e krijon, zhvillon dhe prodhon shkrimtari, ndërsa se si duhet shkruar, krasitur, qethur e rrënuar, këtë duhet ta bëjë gjuhëtari!” Mua më duket se e kaluam një herë këtë përvojë, që na doli spec i hidhur. Askush nuk mund ta privojë shkrimtarin nga e drejta e tij në diskursin për gjuhën, në qoftë se synojmë të kemi një standard letrar që rrit paskajshmërisht aftësitë shprehëse të shqipes, psikës së saj kombëtare.
Para 100 vjetësh, qoftë Konica në “Albania”, apo Mid’hat Frashëri e më vonë Kuteli artikulojnë shpesh - jashtë qarqeve të gjuhëtarëve - “gjuhë e përbashkët”. Kjo kohë është mohuar krejtësisht. A duhet të rikthehemi për të kuptuar ku jemi apo nga duhet nisur pse gjuha u bë politikë më pas, në diktaturë...?
Mjerisht, tradita e qarqeve kulturore të shkrimtarëve e shkencëtarëve që sugjeronin qasje për një “Gjuhë të përbashkët letrare” pa asnjë diskriminim mbi dialektet, por përkundrazi, duke përbashkuar elementët më energjikë të njërës dhe tjetrës – mjerisht, kjo traditë u ndërpre dhimbshëm në kulmin e produktivitetit të saj. E më vonë, pas ideologjizimit të çdo shkence, në komunizëm, testamentet e tyre të shenjta u tradhtuan. Mendoj se gjëja që do t’i kishte llahtarisur më shumë ata burra të ndritur është pamja e masakruar e shqipes në trajtën e GjNjL. Një mutant gjenetikisht steril. Pra, në diktaturë, janë munduar të manipulojnë me traditën e mendimit intelektual e shkencor, si të Konicës, si Xhuvanit, ashtu dhe të Çabejit e Rizës. Por edhe vetë Çabej erdhi në një moment final kur nuk mund t’i “ngrinte më vetë pantallonat” prej shantazheve. Pranimi i stërvonuar i standardit të GjNjL-së nga ana e Çabejit i ngjet në një mënyrë krejt analogjike refuzimit që i bëri Boris Pasternaku çmimit “Nobel” që ia dhanë në vitin 1958. Për të njëjtat arsye...
Ka 20 vjet që çështjet e gjuhës mbeten “pronë” akademike e të njëjtëve gjuhëtarë që ndërtuan “shqipen e njësuar”, ka shumë pak mendim prej shkrimtarëve, pse përjashtohen?
Në të shumtën e rasteve gjuhëtarët e mirë janë edhe krijues të letërsisë, në mos drejtpërdrejt, të paktën përmes përkthimeve. Por jo domosdoshmërisht. Në traditën tonë kemi Kristoforidhin, Konicën, Çabejin, Kutelin, Camajn, R. Ismajlin, B. Bokshin, S. Hamitin etj., të cilët zotërojnë statusin e dyfishtë të shkencëtarit dhe krijuesit. E kam thënë diku tjetër që një ushtri e tillë shkencëtarësh të gjuhës nuk e ka ndjeshmërinë e përvojave të saj të brendshme, andaj dhe e ka më të lehtë të rekrutohet në demagogji të ndryshme politike, siç ndodhi me standardin e shtatëdhjetë e dyshit. Kam përshtypjen se këtë aspekt të rëndësishëm në qasjen ndaj trashëgimisë së një gjuhe kombëtare, këta shkencëtarë nuk e kanë, sepse u mungon në “tabelën e të dhënave”. Shumica sosh sot janë trashëgimtarë të standardit të vitit ‘72 dhe e kanë tepër të vështirë të pranojnë se e kanë gabim. Kjo këmbëngulje me kohë është shndërruar në fanatizëm, i cili sheh si “armik” këdo që e ringre çështjen e standardit. Pse? Sepse e kanë mbrojtur këtë krijesë me tituj e grada gjatë gjithë karrierës së tyre, gjer në thinjën e fundit. Aq më tepër që këta trashëgues të “testamentit të tradhtuar” kanë monopolin institucional të shkencës së gjuhësisë... Mendoj se, pavarësisht mënjanimit të shkrimtarëve nga diskursi për gjuhën, kjo nuk përjashton askënd nga e drejta të përfshihet në çështje. E shoh se duhet shtruar më me mprehtësi qasja dhe kategoritë e përfshirjes në debat. Por, mbetet e padiskutueshme merita e hapjes së debatit dhe e shtrimit të çështjeve nga QSA-ja, pasi qe krijuar ideja e një rrethi të mbyllur sektant.
A e shkatërron gjuha një vepër, e për pasojë edhe shkrimtarin? Është kjo frikë pse heshte, dhe “shqipja e njësuar” mban peng debatet e hapura sot?
Një vepër nuk mund të shkatërrohet nga gjuha, por nga paaftësia për të prodhuar “gjuhë artistike”, gjuhë adekuate me idetë, ndjeshmëritë dhe komponentët e tjerë të veprës letrare. Shqipja e njësuar zor se përdoret në shkrimin e letërsisë. Krijimtaria letrare gjithmonë e thyen totalitetin e gjuhës standarde. Por pa dyshim, një standard i rishikuar, ku të përfshiheshin më shumë elementë, ia rrit shkallën e shprehshmërisë një gjuhe. Shkrimtari nuk mund të shkatërrohet nga gjuha. Përndryshe ai nuk është shkrimtar. Ai duhet ta shpikë gjuhën e tij, që të mos vdesë. Por GjNjL ka ndikuar mjaft keq, si djerrinë shterpë, ku fara krijuese nuk hedh dot shtat nga mungesa e humusit.
Gegërishtja, toskërishtja - përballë tyre gjuha staliniste që prodhoi diktatura; është shkruar nga Arshi Pipa, një autopsi dhe të vërteta të mëdha edhe për emra që janë ende sot me grada e doktoratura për “shqipen e njësuar” - çfarë duhet rrëfyer, me domosdo, në të gjithë këtë histori?
E vërteta e trishtë diktatoriale që ka ndodhur shpesh: Gjuha e fituesit shkatërron gjuhën e të mundurit, duke marrë prej saj disa organe transplantimi. Me këtë vdes gjuhën e të mundurit, por kryen edhe për vete akt fëlligështie dhe herët a vonë vdes edhe vetë. GjNjL është një krijesë edipale. Do të duhet kohë të shërohet nga komplekset e fajësisë, krimit dhe incestit. Dhe asgjë, asgjë, asnjë lloj konference, debati, shqyrtimi, shestimi, qasjeje, përplasjeje apo hamendësimi - asgjë nuk mund të vendosë paqë në çështjet e Standardit të shqipes letrare pa u kthyer Paskajorja. Gjuhës shqipe ia kanë hequr me majë thike zemrekun e saj, zemrën, kategorinë më të rëndësishme gramatikore, që është Paskajorja. Pika 8 e rezolutës së konferencës së zhvilluar këto ditë në Durrës duhet të kishte qenë fillimi, vazhdimi dhe rezymeja e gjithë diskutimit. Nuk ka diskutim tjetër dhe nuk i takon asnjë çështjeje gjuhësore të ngrihet për diskutim para Paskajores. Ne duam të kemi një Gjuhë të madhe Kombëtare? Si mund ta kemi këtë pa Paskajoren? Deri më tash e kemi pasur dhe e kemi Skajore, por jo Paskajore. Rezoluta thotë: “Të shikohet mundësia e kthimit të paskajores gege...” Ndërsa duhet shtruar kështu: “Kur tri të katërtat e popullsisë shqiptare, që flet shqip, lindin e rriten me paskajore në gjak e në gjuhë, atëherë duhet përgatitur mirë terreni i kthimit të Paskajores së përzënë kriminalisht nga Gjuha Shqipe. Të tjerat janë kozmetika, tualete, çikërrima. Pa to mund të bëhet. Por pa Paskajoren JO!
Pse shkruani në letrare standarde e mjaft rrallë gegnisht? A jeni të mendimit se veprat në këtë dialekt nuk mund të lexohen, pra se është risku i leximit, i njohjes?
Jo, nuk mendoj se kam shkruar ndonjëherë në gjuhë standarde letrare. Konstrukti, sintaksa, leksiku, kumbi e të tjerë komponentë si në poezi, si në prozë, nuk janë në gjuhën standarde. Ndryshon puna kur shkruaj qëllimshëm sipas gramatikës së gegnishtes. Sa i përket leximit dhe njohjes, poeti e shkrimtari i vërtetë nuk e vret mendjen se si do ta lexojnë të tjerët. Është një akt krijues që në moment krijimi nuk ka parasysh askënd tjetër, përveç vetvetes, pra akt asocial, i cili vetëm pas përfundimit hyn në relacione sociale komunikimi.
Debat akoma më i mprehtë është haku i gegnishtes, që siç dihet tashmë, u ekzekutua bashkë me ata që shkruan veprat në këtë dialekt. A jeni të mendimit se duhet të përfshihet gegnishtja në standardin e gjuhës dhe si duhet bërë kjo gjë?
Mendoj se gjuhës shqipe i duhet kthyer dinjiteti, që është Paskajorja. Të tjerat rregullohen vetë. Paskajorja shuan çdo lloj “sherri”. Nuk mendoj se mund të kthehet gegnishtja e Fishtës, Koliqit, Pipës apo Mjedës. Ajo mund e duhet studiuar si repertor tekstesh në shkolla. Por gjuha ka njohur zhvillime të pandalshme. Reformën më të madhe të gegnishtes në pikëtakim me dialektin toskë më duket se e ka kryer Martin Camaj me veprën e vet. Ajo është një shembull që do të përthithë, sipas meje, të gjitha modelet e përbashkimit gramatikor të një standardi ideal të të gjithë shqiptarëve.