E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karnavalet e Korçës bëhen "kombëtare"

Karnavalet e Korçës do të përjetojnë këtë vit rikthimin në identitet e në traditën e hershme të festimit popullor. Karnavale dhe ballo me maska do të gjallërojnë në verë qytetin e serenatave, ku grupe të shumta pritet të bëjnë parakalimin në paradën e madhe si dikur, pa dallime moshash dhe me koloritin e sjellë nga krahina e vende të ndryshme. Këtë herë karnavalet e Korçës nuk do të kufizohen vetëm në traditën e këtij qyteti, që njihet për festimin e veçantë të dikurshëm të kësaj feste popullore gazmore. Grupe të shumta dhe nga qytete të mëdha shqiptare do të zbresin në bulevardet e Korçës, në një paradë të madhe që do të shoqërohet për çdo grup apo individ pjesëmarrës me një fabul, ndërsa netët do të gjallërohen nga muzika klasike dhe ballot me maska, por edhe këngët tradicionale dhe romantike të serenatës korçare. Ky është vizioni që bashkia e qytetit do t‘i japë festës së karnavaleve të Korçës, e cila këtë vit do të jetë një festë kombëtare. Maska të shumta që do të vijnë nga qytetet e tjera, kostumet e larmishme plot ngjyra, por edhe fshatrat e veçantë që njihen në zonën juglindore për festimin tradicional dhe të pareshtur në vite të karnavaleve me veshje kafshësh, do të shtojnë radhët e njerëzve që do të dalin në paradën e madhe. Elemente artistike, që i kanë munguar traditës popullore gazmore festive, janë planifikuar për të kthyer në identitet bashkë me kitarat e këngët dhe fabulat e ndryshme sipas libreteve. Kjo festë mbarëkombëtare ka si qëllim që të rizgjojë edhe një herë në këtë qytet, karakteristikat e mirëfillta të traditës së trashëguar. "Qyteti i Korçës njihet për karnavalet e famshme që organizoheshin më parë, por që janë zbehur në vite. Ashtu si disa qytete dhe fshatra të veçantë të vendit që kanë lëvruar dhe ruajtur tradicionalisht në fushën e kulturës popullore festimin e karnavaleve, Korça do të jetë mikpritësja e madhe, e cila do të hapë dyert për të rizgjuar traditën e vendit dhe për të rifituar vlerat e një festimi popullor gazmor masiv. Tradicionalisht kjo festë është organizuar në qytetin e Korçës, por këtë herë është menduar që të marrë përmasa mbarëkombëtare e më gjerë, duke u pasuruar edhe me elemente të tjera të traditës, si serenatat dhe ballot me maska. Parada e madhe e grupeve pjesëmarrëse do të zhvillohet në sheshin qendror të qytetit dhe në të do të ketë grupe nga Shkodra, Tirana, Fieri, Vlora, Elbasani etj., krahas grupeve tradicionale të qytetit dhe të fshatit Polenë. Duke hulumtuar dhe shfrytëzuar vlerat rituale, etnografike, artistike dhe gazmore të kësaj tradite të mirëfilltë popullore, nga ana e bashkisë dhe institucioneve kulturore do të riorganizohet kjo festë për të ruajtur vlerat e dhjetëra viteve më parë", ka thënë përgjegjësja e projekteve social-artistike në bashkinë e qytetit, Aida Shkodrani. Sezoni turistik në juglindje të vendit do të jetë edhe koha kur do të çelen karnavalet, ndërsa po bëhen përgatitjet nga ana e artistëve të mirënjohur të qytetit për realizimin e një karnavaleje kombëtare. Grupet e shumta, të cilat kanë konfirmuar edhe pjesëmarrjen në paradën e madhe që do të shoqërohet me muzikë dhe banderola në bulevardin kryesor në shesh, do të sjellin në Korçë karakteristikat dhe elemente të veçanta të traditës në krahina të ndryshme të vendit të kësaj feste. Sipas të dhënave nga ana e bashkisë së qytetit, është planifikuar që të merren maska të prodhuara në qytetin e Shkodrës, që do të shërbejnë për ballon e mbrëmjes. Festivali Kombëtar i Karnavaleve, që është ideuar të jetë ndryshe këtë vit, do të mbushë qytetin me koloritin e kostumeve të veçanta dhe maskave, ndërsa atmosfera gazmore do të çelë me këtë festival edhe sezonin, që do ta kthejë qytetin më atraktiv nga pikëpamja turistike. "Ky aktivitet ka vendin e vet në fushën e kulturës popullore, pasi kultivon vlera të veçanta folklorike, imituese, humoristike, xhestikulative dhe muzikore. Festivali do të shtojë edhe interesin e individëve e grupeve pjesëmarrëse për të sjellë jo vetëm traditën, por edhe vlera të reja që do të gërshetojnë këtë traditë të hershme me elemente të reja dhe bashkëkohëse. Fakti se do të ketë një pjesëmarrje masive në këtë festë popullore do të nxisë, nga ana tjetër, edhe dëshirën e organizimit të përvitshëm dhe të suksesshëm, pasi do të shtojë gjallërinë dhe gëzimin popullor, si dhe festimet në të gjitha moshat. Do të ketë kështu grupe të ndryshme dhe pjesëmarrje nga shkollat e të rinjtë. Korça do të përfaqësohet me disa grupe si qytet tradicional i karnavaleve, ndërsa grupet e veçanta do të vijnë nga zonat që e kanë pasur dhe ruajtur këtë traditë", shprehet znj. Shkodrani. Platforma e re e festivalit, pas paraqitjes së çdo grupi karnavalesh, do të çojë fillimisht nga ana e specialistëve në përzgjedhjen e grupeve më të mira, pas një faze përgatitore paraprake që do të nisë dy muaj para kësaj parade të madhe. Festivali kombëtar është menduar të ketë edhe një juri vlerësimi, e cila do të akordojë edhe çmimet, pasi këtë vit ky festival është projektuar dhe konceptuar si një veprimtari me manifestime në formë parade të grupeve dhe individëve të stacionuar në disa pika, për të komunikuar sa më mirë me publikun me fabulat e tyre dhe origjinalitetin e zonave përkatëse. Figurat lëvizëse groteske të karnavaleve këtë vit do të sjellin jo vetëm traditën, por edhe ngjyrime të shumta e elementë artistikë që do të marrin edhe vlerësimin nga një juri profesionale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›