E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtim në Dyrrah

Perëndimi i diellit ka rënë mbi Adriatik. Buzëmbrëmjet janë gjithnjë të ndjera në rrugën pranë portit, ku dikur fliste plot pasion Cicëroni. Për durrsakët kjo është xhiroja tradicionale që e nisin çdo pasdite nga kjo rrugë dhe e përfundojnë buzë detit. Kodrat që mbulohen mbrëmjeve nga një tis i hirtë janë po aq interesante sa zgjatimi i pafund i detit. Për historianin e njohur të këtij qyteti Sali Hidri nuk është vetëm deti ai që e bën Durrësin një qytet romantik, por edhe trashëgimia kulturore që mbart ky vend.

Por ne jemi mësuar ta njësojmë Durrësin me detin dhe shumë rrallë guxojmë të shkojmë përtej tij, për të zbuluar kodrat e qytetit ku luftonte Çezari me Pompeun, apo për t‘u ndalur te kultet që janë një pasuri më vete e traditës historike të tij. Në panteonin tradicional pellazgo-ilir, banorët e hershëm të këtij qyteti i faleshin hyjnive, që nga ato kozmogonike, ashtu edhe atyre të panteonit tradicional mitologjik. Në muzeun e qytetit, mund ta takosh historinë vetëm disa metra larg detit. Aty mund të mësosh më shumë për Gean. Në kozmogoninë pellazge, Gea bënte pjesë në kultin e krijimit të njeriut, adhurimit të të parëve, që ishte elementi bazë i pellazgëve. Ajo është adhuruar herët në Dyrrah. Realizimi i saj në skulpturë me përmasa natyrore, e ulur në fron, rrethuar me fëmijë, plot fruta në prehër e me veshje romake flet për këtë vazhdimësi të kultit të saj edhe në shek I-II pas lindjes së Krishtit.

Qyteti ku ne kërkojmë të arratisemi për të ndryshuar disi rutinën e ditëve tona, mbart një histori tjetër brenda tij. Ajo e bën atë unik në Ballkan dhe një nga vendet me trashëgimi kulturore më të adhurueshme. Po përse flitet kaq pak për këtë trashëgimi, pse ajo nuk është ende promotore kryesore e turizmit, e thithjes së vizitorëve drejt këtyre përrallave kaq befasuese.

Prof. as. dr. Hava Difri dhe dr. Sali Hidri (të dy bashkëshortë) kanë zgjedhur një mënyrë për ta treguar këtë trashëgimi. Në albumin historik të quajtur "Durrësi" ata tregojnë anët e panjohura të qytetit për të cilin Marin Barleti shkruante se "lavdet dhe krenaritë e tij janë të shumta e të mëdha".

Albumi kërkon të tregojë se sa e rëndësishme është historia që fle në rrugët ku kanë kaluar kryeqytetarët e Evropës, ku brenda tij ndodhen ndërtesa të shenjta, faltore të hyjnishme dhe madhështore...". Dhe atje sheh qartë fytyra mbretërish e perandorësh, monumente shumë të larta princash. Atje është ngritur mbi një vend të lartë pranë portës Kabalina me drejtim nga veriu, truproja, ose më mirë Kolosi shumë i madh i Perandorit Adrian, i ndërtuar me zgjuarsi dhe me mjeshtëri të admirueshme. Muret e qytetit janë shumë të fortë, të stolisura dhe të zbukuruara me kulla të larta dhe me vepra të tjera të përmendura. Ai qytet duhet admiruar edhe për çështjet e lundrimit, për dobinë e kriporeve dhe të mallrave. Ky është qyteti i Durrësit, që pa dhe priti si jo më mirë senatin romak, jo më pak i përmendur se sa i pafat për gjakderdhjen civile dhe luftërat e brendshme", shkruante dikur për Durrësin Marin Baleti.

"Pozicioni gjeografik i Durrësit, të qenurit e tij kurdoherë një port ndër më kryesorët në pellgun e Mesdheut qytet nga ku niseshin rrugët e karvanëve tregtarë, nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas, mbetej pa dyshim takimi i dy botëve të mëdha të kohës, ku kapërtheheshin interesa ekonomike, politike, administrative, kulturore e deri ideologjike fetare", shkruan Hidri. Durrësi mbetej një pikë takimi e bashkimi jo vetëm politike e administrative, por edhe e kulturave botërore, çka bënte që ai të ishte kurdoherë një qytet emancipues. Perandoritë e mëdha të kohës, Roma e Bizanti, kishin interesa strategjike mbi këtë qytet. Secili në kohë të vet, synonte t‘i jepte atij fytyrën e tij, prandaj dhe investimi ishte i gjithanshëm. Në periudha paqeje Dyrrahu hapej, zhvillohej, zbukurohej lartësohej dhe e kundërta në periudha lufte, ai tkurrej, rrudhosej, shkatërrohej. Kësaj tabloje i duhen shtuar dhe fatkeqësitë natyrore siç ishin tërmetet e shumta e ngandonjëherë katastrofike, të cilët e degradonin shumë qytetin. Për madhështinë e tij flasin jo vetëm autorët antikë, por mbi të gjitha monumente e objektet arkitektonike, arkeologjike që jep nëntoka e qytetit, shpallur prej dekadash nëntokë muze.

Kultet janë një pasuri e madhe e botës shpirtërore të qytetit. Mund të shohësh ende sot Herën, bashkëshorten e Zeusit, apo Afërditën, hyjneshën e Dyrrahut, e cila ishte dhe mbrojtëse e porteve detare. Athinaja, bija e Zeusit, e dalë sipas mitologjisë nga koka e tij, ishte mbrojtëse e shkencës, e diturisë. Artemisi, Hyjnesha-Virgjëreshë, e bija e Latonës, motra e Apolonit, ishte mbrojtëse e grave dhe e vajzave gjë që e përafronte atë me Afërditën. Hermesi ishte mbrojtësi i tregtarëve, udhëtarëve dhe hajdutëve. Dionisi, hyjnia e rrushit dhe e verës, me prejardhje nga Lindja, gjendet dhe paraqitet fuqishëm në Dyrrah. Po ashtu dhe Nike, simbol i fitores, shoqëruese e perëndeshës Athina, apo Herakliu si hero. Ai paraqitet në vazo ose me kandar në dorë përballë Athinasë ose me topuz ulur përpara një altari.

Nëntoka muze e Durrësit gjithmonë ka të papriturat e saj. Kështu në vitin 2003, nën kujdesin e arkeologëve, dolën në dritë objekte e monumente shumë të rëndësishme ndër to dhe unike, perëndesha e pjellorisë.

Interesante është dhe jeta kishtare e qytetit, e cila e ka origjinën e saj që në predikimet e hershme apostolike të Shën Palit, në përqafimin e fesë së re nga të shtatëdhjetë të krishterët e parë të këtij qyteti, të peshkopit të Durrësit, Astit në vitin 100, i cili është martiri i parë për tokën e Ilirisë. Për një jetë të ngjeshur kishtare flasin edhe gjurmët e ndërtimeve të një sërë kishave, që janë të dokumentuara në qytet, si "Të shenjtët Kozma e Damjan, Shën Maria, Shën Nikolla, Shën Maria e Rotondës, Shën Teodori, Shën Pali, Shën Jaku, etj. Ndërmjet këtyre ndërtimeve kishtare më e rëndësishmja është Bazilika e Arapajt, kushtuar Shën Mëhillit, një ndërtim tipik ky për kohën e Justianit. Si tip bazilike trikonkë, bazilika e Arapajt pasuron fondin planimetrik të bazilikave të vendit tonë. Mozaiku është pika më e lartë artistike që ruhet nga Bazilika e Arapajt.

Janë të pafundme fjalët që mund të përshkruanin vlerat e trashëgimisë kulturore që përmban ky qytet dhe historitë që flenë në të. Dy historianët Hidri janë munduar të rrëfejnë në mënyrën e tyre në këtë album qytetin, me të njëjtën dashuri si ata e shohin çdo ditë. Ndërsa i mbetet autoriteteve që çdo ditë flasin për turizëm të dinë të shfrytëzojnë këto potenciale të heshtura që Durrësi ruan prej vitesh në gjirin e tij.

Princi Vidi

Vilhem Vidi mbërriti në Durrës më 7 mars të vitit 1914. Durrësi, kryeqyteti i Mbretërisë Shqiptare, me në krye princ Vidin nuk e pati jetën më të gjatë se 6 muaj. Duhet shënuar se në vitin 1914 Durrësi u ndje si kryeqendër, qoftë në aktivitetin e tij si port dhe si përqendrim i forcave patriotike në vështrim politik. Mbretëria shqiptare e Vidit ishte pjellë e konjukturave të diplomacisë evropiane. Vetë Statuti i kësaj mbretërie, i këtij shtati, në fakt qe me të meta, por megjithatë ai pati një rëndësi shumë të madhe: shpallte shtetin e pavarur shqiptar, duke u njohur de juro e de fakto në arenën ndërkombëtare. Për patriotët shqiptarë ardhja e princ Vidit u konsiderua si një element i rëndësishëm që do ta çonte vendin drejt bashkimit, do ta fuste Shqipërinë në rrjedhën e stabilitetit shtetëror. Rrethanat ballkanike dhe evropiane, e për pasojë gjendja e pështjelluar brenda vendit e detyruan princ Vidin ta linte postin e dhuruar nga vetë Fuqitë e Mëdha. Më 3 shtator 1914, princ Vidi la Shqipërinë.

Mbreti Zog

Pas marrjes së pushtetit me ngjarjet e dhjetorit të vitit 1924 Ahmet Zogu u mundua ta fuste vendin në rrugën e stabilitetit politik e ekonomik. Gjëja e parë që bëri ai ishte forcimi i kuadrit ligjor. Durrësi në vitet 1925-1939 njohu disa përparësi zhvillimi dhe kjo duket më së miri në zhvillimin urbanistik të tij, si dhe në forcën investuese të tyre në këtë qytet nga vetë banorët.

Lufta e Dytë Botërore

Shqipëria në teatrin e Luftës së Dytë Botërore u radhit në anën e shteteve të Koalicionit Botëror Antifashist. Kjo luftë niste në fakt për vendin tonë që me zbarkimin e trupave fashiste italiane më 7 prill 1939. Qyteti i Durrësit qe ndër të parët që i priti me armë pushtuesit fashistë. Në qytetin bregdetar u krijua i pari Këshill Nacional Çlirimtar i Qarkut (tetor 1942). Në Durrës komanda supreme gjermane organizoi operacionin e koduar "shëtitje në port", për t‘iu përgatitur një zbarkimi të mundshëm të forcave aleate që kishin planifikuar hapjen e frontit të dytë diku në brigjet e Adriatikut. Për këtë arsye, gjermanët nëpërmjet këtij operacioni urdhëruan evakuimin me forcë të banorëve të qytetit. Durrësi u boshatis e mbeti i tillë nga nëntori i 1943 deri më nëntor të vitit 1944. Në Durrës në thellim të operacionit të tyre mëngjesin e 20 nëntorit 1943 gjermanët grumbulluan të rinjtë me ndjenja nacionaliste patriotë e rini komuniste në zonën e Shkozetit jashtë qytetit. Këtu bënë seleksionimin, duke veçuar sipas tyre "më të rrezikshmit" dhe i nisën në kampet e shfarosjes në masë në Prishtinë, Zemun, Mat‘hauzen, etj. Në këto kampe naziste mbetën 44 të rinj durrsakë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›