E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niset të vrasë gruan, por i vret kushëririn

Ish-polici Sotir Kordha ishte në fshatin Bestrovë, që të punonte vreshtin e familjes, kur u bë viktimë e saçmës së çiftes së burrit të vajzës së dajës

VLORË - Një sherr familjar përfundoi në tragjedi pasditen e djeshme në fshatin Bestrovë të rrethit të Vlorës. 57-vjeçari Besnik Driza pasi debatoi me të shoqen, deshi ta vrasë atë. Xhelozia dhe alkooli dyshohet se çuan 57-vjeçarin, banues në fshatin Bestrovë të rrethit të Vlorës, që të qëllojë me çifte në drejtim të bashkëshortes së tij, ndërsa ajo ka ikur me vrap për t’u shpëtuar plumbave. Por 57-vjeçari Besnik Driza e ndoqi nga pas me çifte në dorë. Bashkëshortja e tij, Nazmija, shkoi të fshihet tek shtëpia e hallës së saj, pak metra nga banesa ku jeton në Bestrovë, dhe pikërisht aty rastësisht u gjend Sotir Kordha, 53 vjeç, djali i hallës së saj, i cili jetonte në Vlorë. Autori i vrasjes, Driza, nuk ka parë se kush po e hapte derën dhe ka qëlluar me çifte në drejtim të derës së banesës së familjes Kordha. Saçma e dalë nga çiftja preku në zemër 53-vjeçarin Sotir Kordha, që gjendej në Bestrovë, në shtëpinë atërore, për të punuar vreshtin e familjes. Pasi ka parë gjakun dhe viktimën në tokë, Besnik Driza është larguar nga vendngjarja për t’i shpëtuar policisë, ndërsa të afërm të tjerë kanë shoqëruar 53-vjeçarin Kordha për në spital, por ai nuk mundi të rezistojë dhe ndërroi jetë si pasojë e goditjes së marrë në zemër. Më pas, policia e mbërritur në vendngjarje u vu në ndjekje të autorit të identifikuar të vrasjes, i cili u largua menjëherë në brendësi të fshatit. Blutë mundën ta ndalojnë atë vetëm një orë më pas në afërsi të fshatit Cakran të Fierit. 57-vjeçari Besnik Driza së bashku me armën e krimit ka marrë një makinë, e cila e ka shoqëruar deri në kufi të fshatit, e më pas ka nisur të ecë në këmbë në drejtim të Fierit, ndërsa makina që e shoqëroi ka marrë tjetër drejtim. Policia ka mundur ta ndalojë, duke e prangosur menjëherë. Ai është transportuar menjëherë për në Komisariatin e Vlorës, ndërsa është gjetur edhe arma e krimit, e cila është marrë me cilësinë e provës materiale. Autori i krimit ka vrarë në vend të gruas së tij djalin e hallës së saj, ku ky i fundit që mësohet se ka qenë ish-efektiv policie në forcat e rrugores, ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Viktima banonte në Vlorë, në lagjen “10 Korriku”, ndërsa shkonte në Bestrovë për të takuar nënën e tij dhe për të punuar vreshtin që kishte hapur rishtas në tokat e familjes. Ai u gjend rastësisht në banesën e nënës së tij, kur kushërira e parë e tij shkoi e tmerruar për t’u shpëtuar plumbave të çiftes, ndërsa gjeti më pas vdekjen si pasojë e një plumbi të marrë në zemër. Autori i vrasjes, thanë të afërm të familjes Kordha dhe komshinj të tyre, ishte përdorues i rregullt i alkoolit, edhe në momentin e ngjarjes ai ishte i pirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›