E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karrota e kalbur e 8 majit

Edi Rama është i destinuar tashmë që të kandidojë në zgjedhjet e 8 majit për kreun e bashkisë së Tiranës.
Kjo jo vetëm sepse është kandidatura më e fortë momentale nga rradhët e opozitës për të synuar riveshjen rozë të kryeqytetit, por edhe sepse nocioni që po u jepet këtyre zgjedhjeve vendore është mjaft i qartë. Nuk bëhet më fjalë për garën e zakonshme mes dy kandidaturave që synojnë menaxhimin e duhur të qytetit më të rëndësishëm të vendit, por kësaj here në lojë është fitorja e duelit të stërgjatur mazhorancë-opozitë. Pra, beteja është vendore, por objektivi është shumë më i përgjithshëm, është vetë qeverisja e ardhshme e vendit.
Në këtë spirale të pakthyeshme ndodhet tashmë kryetari i selisë rozë, edhe si pasojë e një alternative të momentit të fundit që kanë zgjedhur të provojnë këtë 8 maj diplomatët e huaj. Pasi nuk mundën të ulin të dyja palët në tavolinën e dialogut dhe sigurisht pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit, refreni i ndërkombëtarëve për lidershipin socialist ka qënë i njëjtë: “Opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet vendore”. Deri në këtë pikë gjuha e diplomatëve ishte brenda të gjitha hullive standarte dhe rregullave të demokracisë. Por kur kjo këshillë miqësore u transfomua në: “Zgjedhjet vendore do të jenë zgjidhja e ngërçit politik në vend”, duket se alternativa që u shtrua nga ndërkombëtarët për Shqipërinë ishte me tepër një formulë për të fituar kohë deri në muajin maj sesa një zgjidhje e duhur për qytetarët. Akoma më e cuditshme duket situata, kur kjo formulë e shitur si zgjidhje e krizës, po proklamohet edhe nga lidershipi socialist në takimet e tij të fundit në elektoratin e majtë.
A mund të jenë zgjedhjet vendore një shpresë pozitive për zgjidhjen e krizës politike të vendit ?
Për të gjithë shqiptarët dhe ata diplomatë që kanë ndjekur ecurinë e deritanishme të krizës politike të post 28 qershorit, është e qartë se gjurmët e konfliktit janë shumë të thella për t’u shëruar nëpërmjet një makiazhi të rimandatimit të Ramës në kryeqytet. Edhe nëse Rama do të ngopet me këtë kafshatë lokale, pasuesve të tij në PS u është hapur tashmë oreksi për vazhdimin e betejës për shtënien në dorë të kullës qeveritare.
Njëherësh, nëse Edi Rama i fiton këto zgjedhje të vogla në Tiranë, nuk është e thënë që PS të sigurojë fitoren e përgjithshme në shkallë vendi. Aq më keq kur kjo fitore në zgjedhjet vendore, është shumë e vështirë që të përcaktohet qartësisht. Të gjithë e mbajmë mend se si përfunduan në qesharake deklaratat e të dy forcave politike të nesërmen e zgjedhjeve lokale të 2007-ës. Nëse Berisha numëronte komunat e “Shqipërisë së veshur blu”, Edi Rama deklaronte plot krenari se PS kishte fituar të gjitha bashkitë kryesore të vendit. Pra të dy liderët shpallën fitoren e zgjedhjeve. A mund të ndodhë e njëjta situatë edhe këtë 9 maj? Sigurisht që po. Vetëm se kësaj here, në kurbën e rritur të tensionit politik dhe në zgripin e sosjes së durimit të opozitës, në lojë nuk është vetëm prestigji moral i dy liderëve. Nëse opozita do të korrë një sukses në Tiranë dhe në shumicën e bashkive, ajo do të forcojë më tepër aksionin e saj për largimin e qeverisë. Në këtë moment, shtrohet dyshimi për mirazhin e ofruar nga ndërkombëtarët: A mund ta detyrojnë ata kryeministrin që të heqë dorë vullnetarisht nga mandati i tij? Sigurisht që Berisha do të nxjerrë në tavolinë kartat e mandatimit të tij nga qytetarët shqiptarë deri në vitin 2013. Dhe në këtë argument, diplomatët nuk mund të debatojnë haptas. Pra, premtimi se “zgjedhjet jane zgjidhje”, sjell më tepër të panjohura sesa besueshmëri në të ardhmen e afërt të Shqipërisë.
E vetmja zgjidhje e formulës “kokë a pilë” të ndërkombëtarëve, mbetet mundësia që Edi Rama të humbë zgjedhjet për Tiranën. Në këtë rast, ai do të vendoset në qendër të sulmeve për të lënë edhe Partinë Socialiste, apo së paku, për të hequr dorë nga bojkotet e protestat antiqeveritare deri në fund të mandatit qeverisës. Nëse ndërkombëtarët e kanë luksin që të kërkojnë ndjesë për eksperimentin e rradhës me demokracinë shqiptare, opozita është duke u futur në një rrugë ku e parashikueshme është vetëm se çfarë do të ndodhë në rast humbjeje.
Në këtë zgjidhje krize që propozohet si “karrota” e rradhës e lidhur para “karrocës” shqiptare, duket se ka dy të humbur të mëdhenj ende pa nisur starti i garës elektorale: E humbura e parë është opozita, e cila është duke u futur në këto zgjedhje pa iu dhënë asnjë garanci se mund të fitojë objektivin që i premtohet, pra zgjedhjet e parakohshme. I vetmi shans për ndryshim të situatës, është që Rama të humbasë zgjedhjet dhe opozita të tërhiqet nga protestat e saj.
Të humbur janë gjithashtu qytetarët, të cilëve politika shqiptare dhe ndërkombëtarët u kanë zbritur konfliktin politik të qeverisjes qëndrore edhe në rangun e pushtetit vendor. Në vend të përballjes së programeve për menaxhimin e taksave dhe problemeve të qytetit të tyre, votuesit do të përballen në këtë zgjedhje më tepër se kurrë me alternativën “Voto Ramën apo Berishën”.
Si rrjedhojë, e nesërmja e 8 majit në vend të një zgjidhjeje, mund t’i japë edhe më tepër agresivitet krizës politike dhe problemeve tona të përditshme.

(gsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›