Presidenti, Berisha: Negociata me të gjitha partitë

Selia e Partise Demokratike
Procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës duhet të jetë i negociueshëm. Kështu mësohet të jetë shprehur kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike.
Sipas kryeministrit Berisha negociatat duhet të nisin nga Parlamenti, me të gjitha palët politike, përfshirë edhe opozitën.
Kryesia e PD-së, ka caktuar ekipin negociator i cili kryesohet nga kryeministri, Sali Berisha, kreu i grupit parlamentarë të PD-së, Astrit Patozi dhe Edmond Spaho.
Integriteti politik dhe atdhetarizmi, sipas kryeministrit Berisha, janë cilësitë që duhet të ketë presidenti i ri, i cili duhet të shndërrohet në unitetin e vendit.
Berisha ka folur edhe për eksperiencat në negociata me liderët e opozitës, Nanon dhe Ramën. Me Nanon tha kreu i qeverisë kam nënshkruar marrëveshje të respektuara dhe të mbajtura, ndërsa me Ramën kam patur bashkëpunim deri në vitin 2009, tentativat për negociata me të kanë dështuar.
Ndërkaq, votimi i parë për presidentin e ri të vendit do të jetë e mërkura e javës që vjen, 30 maji.
Deklarata është bërë sot nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, fill pas mbylljes së punimeve të Konferencës së Kryetarëve.