E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat; Aplikimi në shtëpi për personat që nuk lëvizin



Aplikimi nga shtëpia për personat që nuk lëvizin dot si dhe për invalidët. Punonjësit e zyrave të aplikimit në fillim të muajit mars, pasi t’i kenë identifikuar këta persona, do të shkojnë shtëpi më shtëpi për të kryer procesin e aplikimit për t’u pajisur më pas me kartat e identitetit. Kjo është pohuar nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani gjatë një dalje publike, ku është shprehur se “është menduar edhe për kategorinë e personave që nuk mund të kryejnë aplikimin pranë zyrave. Do të jenë disa punonjës që do të shkojnë në shtëpitë e tyre për të kryer këtë shërbim dhe mendoj se brenda muajt mars edhe këto kategori do të kenë përfunduar procesin e aplikimit”.

Pamundësia

Për arsye shëndetësore apo nga mangësitë fizike, qindra qytetarë mendojnë se mund të mbeten pa karta identiteti. Të kushtëzuar nga gjendja e tyre fizike ata ndihen të përjashtuar nga mundësia për të aplikuar për karta. Kështu, Fitim Hoxha, pasi kishte kryer aplikimin për veten e tij, ishte drejtuar serish tek zyrat e gjendjes civile për të marrë informacione se si mund të pajisej me kartë nëna e tij. “Kam nënën invalide në shtëpi, e ka të pamundur të vijë në zyrat tuaja. Nuk e di si mund të bëhet këtij halli”, - shprehet Hoxha. I shqetësuar për sanksionet që vijnë nga mos aplikimi, 33-vjeçari kërkon ndihmë pranë njësisë bashkiake.

Punonjëset shprehen se që ditët e para të hapjes së procesit për aplikimin për kartat e identitetit, janë gjendur para kërkesave të tilla. Qindra qytetarë u drejtohen njësive bashkiake për të mësuar se si do të bëhet aplikimi për invalidët apo edhe pensionistët që e kanë të pamundur të lëvizin. Përballë kësaj kërkese punonjësit sqarojnë se “bazuar në urdhrin e ministrit të Brendshëm, z. Nishani, aplikimi për këto kategori do të nisë në muajin mars. Jemi caktuar disa punonjës që do të shkojmë shtëpi më shtëpi për të kryer aplikimin”.

Interesimi

Ndërkohë, nga dita në ditë po shtohet interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me karta identiteti. Procesi për pajisjen me dokumentin e ri identifikues, po shkon normalisht në të gjitha zyrat e aplikimit. Informimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve ka bërë që procesi i aplikimit për pajisjen e shtetasve shqiptarë me kartë identiteti, të jetë i qartë dhe i rëndësishëm për të gjithë personat, që kanë mbushur tashmë moshën 18 vjeç. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme kanë mbërritur pranë autoritetit postar dhjetë mijë kuponë të rinj. Drejtorja e filialit të postës së Tiranës, Pranvera Lalaj, thotë se nuk ka përfunduar ende kontingjenti i mbërritur dje, prej 20 mijë kuponësh.

Edhe pse sasia e kuponëve nuk ka qenë një problem, sërish pranë sporteleve të zyrave postare ka pasur një fluks të madh njerëzish, ku sigurisht edhe shitjet kanë qenë në maksimumin e tyre. Kjo ka bërë që hera-herës sportelet të boshatisnin sirtarët nga kuponët, në pritje të një furnizimi tjetër.

Deri më tani janë hedhur në qarkullim 34 mijë kuponë për kartat e identitetit. Posta qendrore prêt furnizim në vazhdimësi për këtë komponent që përbën edhe bazën e aplikimit për letërnjoftimin elektronik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›