E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë ndihmë ekonomike për jetimët

16/01/2009  Ndryshimi i ligjit

Përcaktohet rritje e ndihmës sociale për kategoritë në nevojë dhe veçanërisht për jetimët. Kjo rritje tashmë është finalizuar edhe me hartimin e ndryshimeve përkatëse të ligjit për “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, duke bërë që për herë të parë të jepet mbështetje ekonomike më e madhe edhe për jetimët. Brenda pak kohësh këto ndryshime do të hyjnë në fuqi, duke bërë të mundur që këta fëmijë të rriten pranë të afërmve të tyre kundrejt një ndihme financiare, që do të akordohet nga shteti. “Me qëllim rritjen e mbështetjes për fëmijët jetimë, kemi parashikuar ndryshime në ligjin ‘Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore’, që parashikon për herë të parë mbështetjen me ndihmë ekonomike edhe për jetimët që nuk kalojnë nga qendrat rezidenciale, por mbahen nga të afërm të tyre, pasi vlerësojmë se rritja nga të afërmit dhe pranë komunitetit ndikon pozitivisht në përgatitjen dhe mirërritjen e tyre”, - ka pohuar gjatë ditës së djeshme kreu i Ministrisë së Punës Anastas Duro. Njëkohësisht po diskutohet edhe masa fikse e ndihmës që do të shkojë për këtë shtresë, për të cilën është pohuar se do të jetë më e lartë se ajo e pagesës me të cilën trajtohen kryefamiljarët që bëjnë pjesë në këtë program. Megjithatë, ligji aktual përcakton që kategoritë e fëmijëve jetimë deri në moshën 15-vjeçare do të trajtohen nga qendrat e posaçme. Pas kësaj periudhe do të përfitojnë ndihmë nga shteti, në rast se kthehen në familjet e të afërmeve për të jetuar si dhe lloje të tjera ndihmash, kur ndjekin arsimin e mesëm. Një ndër pikat më problematike me të cilën përballet kjo kategori është mungesa e një vendi strehimi në kohën që mbushin moshën për të dalë nga shtëpitë e fëmijës. Për këtë është kërkuar që njësitë e qeverisjes vendore të sigurojnë strehimin e tyre, bazuar edhe në statusin e jetimit. Ndërsa Ministria e Punës ka vendosur që të nxisë përfshirjen e tyre në punë, duke mundësuar fillimisht aftësimin e tyre profesional falas dhe më pas ndërmjetësimin për përfshirjen në tregun e punës. Për kategoritë e tjera që trajtohen në shtëpitë e fëmijës do të synohet rritja e asistencës së specializuar për mirërritjen e tyre si në vatrat familjare.

Ligji

Ndryshon ligji “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, në të cilin parashikohet për herë të parë mbështetja me ndihmë ekonomike edhe për jetimët që nuk kalojnë nga qendrat rezidenciale, por mbahen nga të afërmit e tyre.

Pagesa

Aktualisht po diskutohet edhe masa fikse e ndihmës ekonomike që do të shkojë për këtë shtresë. Sipas ekspertëve, është pohuar se kjo masë do të jetë më e lartë se pagesa e ndihmës ekonomike që marrin aktualisht kryefamiljarët.

Studimet

Fëmijët jetimë që ndjekin arsimin e mesëm profesional në vend do të përfitojnë ndihmë nga shteti, e cila konsiston jo vetëm në dhënien e bursës së përmuajshme, por edhe sigurimin e konviktit derisa mbyllin shkollën.

Strehimi

Bazuar në statusin e jetimit, nga njësitë e qeverisjes vendore kërkohet që të ndërhyhet për sigurimin e vendeve të strehimit për jetimët që pas mbushjes së moshës duhet të lënë qendrat e përkujdesit, pranë të cilave janë trajtuar për vite të tëra me radhë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›