Ushtaraku , Mjekët: Nuk ka përmbytje
Të shoqëruar edhe nga shefi i urgjencës së politraumës në ushtarak z. Myftar Torba në sallën ku presupozohet se është përmbytur, bëjmë një kontroll për të parë si qëndron realisht ngjarja. Në të vërtetë, salla ndodhej në bllokun e sallave në katin e parë të urgjencës. Në paradhomë gjendeshin tre lavamanë, çezmat e të cilave ne i kontrollojmë dhe verifikojmë se ishin në gjendje të mirë dhe nuk kishte asnjë rrjedhje uji. Hyjmë në sallën e operacionit, e veshur me veshjen përkatëse si dhe e shoqëruar nga mjeku Torba, shohim se rrjedhja e ujit vinte nga tavani. Por siç na shpjegon edhe shefi i urgjencës së politraumës, salla nuk është vënë akoma në punë. Në këtë sallë gjendeshin një pjesë e pajisjeve, por ajo sallë akoma nuk është marrë në dorëzim të mjekëve për të kryer operacionet. Ndërkohë që kjo sallë është ende në rikonstruksion e sipër. Ndërsa për sa i përket rrjedhjes së ujit ajo po zgjidhet. Kjo pohohet edhe nga mjeku koordinator Nefail Caka i cili shpjegon se rrjedhja është duke u eliminuar dhe se për asnjë moment nuk ka penguar punën pasi salla ka qenë jashtë shërbimi.