E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motivojnë EULEX’in

Shefat e diplomacive të Bashkimit Europian të hënën në Luksemburg i kanë dhënë mbështetje EULEX’it duke shfaqur kënaqësinë për rezultatet të cilat i ka arritur deri më tash ky mision në Kosovë.

Sipas tyre, këto rezultate janë arritur në rrethana të vështira në përpjekje për të përkrahur drejtësinë dhe trupat për zbatimin e ligjit.

Sipas konkluzioneve të ministrave, EULEX’i tashmë ka arritur rezultate dhe kur bëhet fjalë për zbatimin e reformave dhe për sundimin e ligjit, duke përfshirë edhe ngritjen e akuzave dhe gjykimeve në rastet e ndjeshme kriminale.

Përkrahja nga Luksemburgu për EULEX’in ka ardhur në një periudhë mjaft të vështirë për imazhin e këtij misioni duke pasur parasysh se ditë më parë pjesëtarë rumunë të këtij misioni janë përfshirë në veprime kontrabanduese teksa po kalonin kufirin e Kosovës me Maqedoninë.

Konkluzionet për EULEX’in nga Këshilli i Ministrave janë miratuar pa debat, kanë deklaruar zyrtarë që kanë marrë pjesë në takim.

Me këtë rast, shefat e diplomacive të vendeve anëtare të BE’së kanë përkrahur luftën kundër korrupsionit në Kosovë.

“Këshilli i Ministrave të BE’së përkrah vendosmërinë e EULEX’it për të shtuar përpjekjet në betejën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media, të lëshuar pas takimit.

Ndër të tjera, ministrat e punëve të jashtme të BE’së kanë përshëndetur përpjekjet për rritjen e pranisë dhe aktiviteteve në pjesën veriore, bashkë me aktorët e tjerë në BE, duke përfshirë edhe etablimin e Shtëpisë së BE’së në Mitrovicë.

Po ashtu, në konkluzionet për EULEX’in thuhet se “Këshilli i Ministrave ka përmendur edhe rolin specifik dhe të rëndësishëm të misionit të EULEX’it në përforcimin e stabilitetit në rajon, në harmoni me perspektivën europiane”.

Ndër të tjera, Këshilli i Ministrave ka ofruar përkrahjen që EULEX’i të ushtrojë mandatin e tij në tërë territorin e Kosovës duke nënvizuar se ky mandat i këtij misioni europian kërkon përkrahjen e të gjitha palëve.

Ministrat, po ashtu, kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të partnerëve rajonalë me Misionin dhe të përkrahjes së fuqishme nga partnerët ndërkombëtarë. Këshilli gjithashtu ka theksuar nevojën për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të mirëfilltë të autoriteteve të Kosovës me Misionin.

Këshilli shprehu përkrahjen e vazhdueshme të tij ndaj përpjekjeve të Misionit të EULEX’it në Kosovë për ngritjen e bashkëpunimit rajonal.

Misioni i EULEX’it aktualisht udhëhiqet nga ish-gjenerali francez, Yves de Kermabon.

Francezi Yves de Kermabon udhëheq këtë mision prej shkurtit të vitit 2008, ndërsa kontrata e punës i skadon në qershor. Megjithëkëtë, ai ka paralajmëruar se është i interesuar të ripërtërijë mandatin dhe të vazhdojë punën në Kosovë.

Express ka shkruar ditë më parë se sipas vlerësimeve të diplomatëve europianë në Prishtinë, duket pak e besueshme që shtetet e Bashkimit Europian të pajtohen që Kermabonit t’i jepet një kontratë e re njëvjeçare. Pavarësisht ambicieve të Kermabonit për të qëndruar në krye të Misionit të BE’së si dhe spekulimeve se në postin e Shefit të EULEX’it do të vijë një tjetër gjeneral francez ose një diplomat gjerman, të cilët kanë qenë të angazhuar më herët në Kosovë, një diplomat perëndimor ka thënë për Express se deri më tash në Bruksel nuk është dorëzuar asnjë kandidaturë zyrtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›