E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, MASH mesazh studentëve për të aplikuar

Ministria e Arsimit thirrje studenteve të aplikojnë për karta identiteti. Beja fton studentet që të bëhen promotor të angazhimit qytetar për tu pajisur me dokumentin e identitetit me qellim garantimin e zgjedhjeve te lira e te ndershme 

TIRANË- Kartat e identitetit kanë qënë kryefjala për Ministrin e Arsimit dhe Shkencës Fatos Beja. Dikasteri që ai drejton u ka drejtuar sërish sot një mesazh të gjithë studentëve të Shqipërisë për të aplikuar për kartat e identitetit, një dokument i konsideruar si garanci për zgjedhje të ndershme në 28 qershor, por edhe për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e BE-së.
Përmes këtij mesazhi, ministri Beja i ka ftuar studentët, që së bashku me shoqatat e tyre dhe profesorët, të punojnë që "deri në datën 1 maj të gjithë ata të rinj që nuk disponojnë pasaportë, të kenë aplikuar për kartë identiteti". Sipas tij, çmimi prej 200 lekë, që vendosi qeveria për të gjithë këtë kategori, e cila aplikon për ID deri në 1 maj, e lehtëson shpejtësinë e veprimit.
“Me këtë akt qytetar, ne hapim edhe një portë tjetër drejt integrimit në Bashkimin Evropian, misionarë elitarë të të cilit janë studentët”, është shprehur ministri Beja, duke nënvizuar se "ne besojmë shumë tek studentët dhe angazhimi i tyre, pasi ata janë fytyra evropiane e kombit".
Për ministrin e Arsimit “aplikimi për kartat e identitetit do të ishte mesazhi i qytetarit të emancipuar që e do shoqërinë të vendosur fort në dokument, ligj e rregull”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›