Kartat, Ministria: Zyrat, hapur edhe sot
TIRANË- Të gjithë qytetarët që kanë bërë aplikimin por nuk kanë tërhequr kartën e identitetit kanë mundësi ta marrin ata edhe gjatë ditës së sotme te zgjedhjeve. Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Brendshme ka deklaruar se zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike do të qëndrojnë të hapura sot deri në orarin zyrtar të mbylljes së votimit të gjitha qendrat e votimit në Shqipëri.
Sipas zëdhënësit të ministrisë, kjo bëhet për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë aplikuar dhe nuk e kanë tërhequr ende letërnjoftimin. "Gjithashtu dhe për t'ua mundësuar të drejtën e votës deri në minutën e fundit, zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike do të funksionojnë edhe nesër gjatë gjithë ditës, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes"- thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme.
Ministria e Brendshme u ka bërë thirrjen e fundit qytetarëve të shfrytëzojnë kohën dhe lehtësitë e krijuara, të tërheqin letërnjoftimet për të cilat kanë aplikuar dhe të ushtrojnë të drejtën e ligjshme për të votuar.
Shënim i redaktorit: Për shkak të një problemi në server komentet e lexuesve për shkrimet në 'Shekulli Online' nuk mund të shfaqen. I kërkojmë ndjesë lexuesve tanë. Të gjitha komentet do shfaqen menjëherë pas riparimit.