E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, PS: Dështoi procesi

Tiranë -Partia socialiste e ka quajtur të dështuar procesin e pajisjes me karta identiteti të shtetasve shqiptar. Në një reagim publik, Taulant Balla tha se kryeministri Berisha bëri demagogji për shpërndarjen e këtyre mjeteve identifikuese. “Sali Berisha lëshoi dy ditë më parë demagogjinë e radhës, duke u munduar të kamuflojë për të suksesshëm një proces që dështoi. Sot Sali Berisha na tregoi se "kjo ishte loja", duke e cilësuar atë si një provë, por në fakt ai vazhdon të tallet me shqiptarët. Një javë rresht lajmëroi nisjen e procesit në datën 12 janar, dhe jo nisjen e provave për shpërndarjen e letërnjoftimeve”-theksoi deputeti socialist .

Balla i ka kërkuar, që para se të niste shpërndarja e letërnjoftimeve, qeveria duhej të miratonte vendimin për subvencionin e letërnjoftimit për kategoritë e veçanta.
Duke folur rreth raportit që paraqitet sot nga ministri i Jashtëm Lulzim Basha në BE, PS-ja thekson se për pjesën më thelbësore të Pyetësorit ende nuk ka rezultate konkrete, ndërsa kalimet e paligjshme të kufirit vazhdojnë të rrezikojnë jetët e shqiptarëve, sikurse ndodhi tre ditë më parë në kufirin me Greqinë.

“Raporte të tilla të paplota dhe që nuk pasqyrojnë realitetin që monitorohet çdo ditë nga vetë Bashkimi Evropian, jo vetëm që nuk e ndihmojnë procesin e liberalizimit të vizave, por përkundrazi e dëmtojnë dhe e sabotojnë atë”-vijoi Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›