E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, Poni: Shpërndarja në fund të janarit

Kartat e identitetit do të nisin të shpërndahen në fund të muajit janar. Zëvendës ministri i Brendshëm Poni, thotë se në janar nis procedura e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave, pa iu përgjigjur pyetjes se nëse deri në mbajtjen e zgjedhjeve do jenë të pajisur shtetasit. 

TIRANE- Kartat e identitetit do të nisen të shpërndahen në fund të muajit janar. Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, duke ju përmbajtur një premtimi sa teknik po kaq edhe politik thotë se muaji janarë do të jetë edhe fillimi i procedurës së aplikimit dhe më pas shpërndarjes së kartave të identitetit.
Në qendrën e personalizimit ka nisur tashmë instalimi i aparaturave që të bëj dhe verifikimin dhe stampimin e këtij dokumenti. Por nisur nga fakti se zgjedhjet parlamentare priten të mbahen në një nga të dielat e 21 ose 28 qershorit duket pothuajse e pamundur paisja e të gjithë shtetasve me të drejtë votimi me këto karta. Zëvendësministri, preferon të mos i përgjigjet kësaj pyetje, duke e anashkaluar atë.
Kodi i ri Zgjedhorë duket se i ka marrë parasysh një gjë të tillë, pasi ka parashikuar që përveç kartës së identitetit në votime zgjedhësit të mund të paraqiten edhe me pasaporta ndërkombëtare, ç’ka nuk e cenon procesin në rast të mos pajisjes me karta. Skema e procesit parashikon 400 zyra që do ti atashohen qendrave të gjendjeve civile në të gjithë vendin, që po kështu do tju vinë në ndihmë qytetarëve për të plotësuar formularët për pajisjen me dokumentet e identifikimit duke marrë për bazë të dhënat në regjistrin elektronik themeltar i shtetasve shqiptarë. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›