E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit dhe 1200 lekëshi

Lajmi se këto ditë, më saktë të hënën e dytë të muajit janar, më 12, nis regjistrimi i popullsisë për t‘u pajisur me kartat e identitetit, si çdo lajm, u duk se pati jehonë mediatike sa për të zënë vend në faqet e para të gazetave. Deklarata e Kryeministrit nga mbledhja e qeverisë për këtë u pasua nga një dalje e zv.ministrit Poni, një ditë më parë në ekran. Tok me të, madje në të njëjtin edicion edhe përfaqësuesi të opozitës, kundërshtues, mospajtues me elementë dhe pjesë të saj, duke i bërë thirrje qeverisë që të marrë masa.

Kaq. Ndoshta më shumë pritet të përvijohen sjellje ndaj këtij procesi, pro dhe kundër në ditët që do pasojnë. Për një proces kaq të gjerë dhe voluminoz, dhe që nuk dihet se me ç‘ritme do të ecë, është një fushatë mediatike e paplotë dhe disi e rezervuar. Kjo për vetë faktin se është folur prej kohësh që do të ndodhte një gjë e tillë, madje ishin përcaktuar edhe afate kohore e shtrëngesa në formën e "detyrave të shtëpisë" nga komuniteti evropian. Opozita mbajti veshët ngritur se çdo ndodhte, për afate të shtyra ndër vite dhe premtime. E motivuar tashmë si opozicion i përhershëm dhe ndaj gjithçkaje, me sa dukej priste që ky proces të çonte ujë në mullirin e vet... Kambanave, dhe ndoshta me të drejtë, do t‘u biheshin, nëse nuk do të realizoheshin as këtë herë pas më se nëntë viteve premtime dhe shqiptarët do mbeteshin pas derës së Evropës, edhe për këtë fakt!

Ndërsa fillimi i 12 janarit është një aksion jashtëzakonisht me vlerë për të gjithë shqiptarët dhe për sa do ndodhë pas kësaj, ne do ta shohim se krahasimi "me çeljen e një autostrade për në botën e qytetëruar" është midis të tjerave, ky aksion i pajisjes me kartat e identitetit.

Në thelb, çdokush është dhe duhet të jetë dyshues po aq sa dhe lakmitar apo i paduruar me bërjen pronë të vetën të kësaj karte. Sipas të dhënave, ajo përmban tashmë të përmbledhura në një çip-kod të gjitha të dhënat e identiktit të personit, që nga sigurimet shëndetësore dhe shoqërore e deri te koordinimi zyrtar i tyre me të dhënat e regjistrit kombëtar të gjendjes civile.

Thënë më shkurt, këtej e tutje askush nuk do ketë nevojë të presë në radhë për një certifikatë, si dhe gjithsecili do gëzojë të drejtën e identiktit të banesës, qendrës së punës, makinës dhe gjithçkaje tjetër, brenda një çasti. Elementë të domosdoshëm për rregullat e lojës në një shoqëri moderne, dhe mbi të gjitha një fund për katrahurën e gjithë viteve të tranzicionit, ku një familje (sipas regjistrit të gjendjeve civile aktuale) jeton në Devoll, në vendlindje, në Tiranë, ku ka ndërtuar banesën që pritet të legalizojë, dhe në Selanik të Greqisë ku punojnë pjesën më të madhe të vitit. Përmbyllja dhe përftimi i çdo shtetasi të kësaj karte, do t‘i hapë rrugën shumë shpejt hartimit të regjistrit kombëtar të popullsisë, që mendohet se do të kryhet aty nga viti 2012.

Sigurisht që ka edhe shumë elementë të tjerë teknikë e të veçantë për këtë proces që po nis. Ajo që gjykojmë, është se përmes saj vendi hyn në një fazë të re komunikimi së pari me vendet e "Shengenit" të Evropës, sipas premtimeve që ka marrë qeveria, dhe më vonë edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë. Ajo që dhjetëra mijëra shqiptarë e quajnë, tek përballen me kufijtë e Evropës, diskriminim, hamej dhe fshesaxhinj të të huajve, me këtë aksion të madh dixhitalizimi të kartave të identitetit, dhe pasaportat biometrike, duket se fillon të marrë frymë dhe të bëhet një premisë pozitive për integrim real e të pakthyeshëm të qytetarëve tanë kudo që janë.

Nëse dikush nga njerëzit që kanë përgatitur aktin e fillimit të 12 janarit do kishte marrë përsipër të shkruante në shtyp e në media, edhe ca më shumë detaje të procesit, jam i sigurt se do njiheshin njerëzit me një informacion shumë më profesional e shumë më të detajuar se ky i imi, i sjellë në këto radhë. Ajo që dua të theksoj është se edhe për këtë çështje kaq të mirëpritur dhe të lakmuar prej nesh të gjithëve, u gjend një zë kundërshtues dhe me demek, opozitar që të shqetësohej:

-Kush do t‘ua paguajë tarifën prej 1200 lekësh të varfërve dhe familjeve në nevojë dhe në varfëri ekstreme? Shteti, shteti i një milion të tillëve? Pra, kjo qeveri, me gati gjysmën e popullsisë në mjerim e në mizerje, sipas tyre, duhet të marrë përsipër financimin e kartave. Ndryshe... Bukur. Sa për logjikë kundërshtuese politike ka vend edhe kjo thirrje, qoftë edhe me më pak patetizëm se "mbrojtja e votës së lirë" të bërë dikur. Asnjë fjalë tjetër për këtë proces vërtet delikat deri në fillimet e tij. Për "dritëhijet" me palën austriake që solli më së fundi, edhe pse me vonesë në kohë, realizimin e këtij procesi madhor. Asnjë zë për faktin se këto karta do prodhohen nga një teknologji ndër më të sofistikuarat dhe absolutisht me elementë sigurie nga më të lartët në Evropë (e pranuar nga ekspertë të fushës). Me një kosto që shkon shumë më shumë se tarifa që vetë qytetarët do duhet të paguajnë, dhe për më tepër, kur edhe për këtë fakt nëse do ketë efekte lehtësuese për shtresat në nevojë ose jo, ende nuk ka asnjë qëndrim pro apo kundër!?

-Mirë, mirë, por 1200 lekëshin kush do ta paguajë? Është meraku jo vetëm i opozitës, por dhe i një sërë njerëzish dhe kategorish përgjithësisht emfatikë dhe dyshues. Tamam si tersi i Pojanit.

Duket se edhe në opozicione të tilla, demi kapet prej brirësh dhe në kësi rastesh, janë të vlera edhe qarjet, edhe britmat e poteret, por të bësh opozitë sipas fabulës së ujkut dhe gjurmës, kjo është më shumë se qaramane, që përpiqet të fshihet pas gishtit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›