Kartat e identitetit, qeveria ul çmimet
Letërnjoftime falas për paraplegjikët dhe të verbrit. Lehtësi të tjera financiare për pensionistët me pension minimal, studentët dhe të papunët
TIRANË- Kartat e identitetit do të shpërndahen falas vetëm për personat para dhe tetraplegjikë dhe për personat e verbër.
Vetëm për këtë kategori, qeveria ka pranuar të shpërndajë letërnjoftimin falas pas presionit të opozitës, ndërkohë që ka vendosur lehtësi të tjera financiare për studentët, ata që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe gjithë pensionistët, që kanë pensione minimale.
Megjithatë, edhe në këtë rast, qeveria ka vendosur afate. Lehtësi financiare do të kenë vetëm ato pensionistë, të papunë apo studentë, që do të aplikojnë deri më datën 1 maj.
Përjashtim do të bëhet vetëm për ato komuna, ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit. Në këtë rast, vendimi do të jetë në fuqi deri më datën 1 qershor 2009. Gjithashtu, duke filluar nga 1 prilli 2009 deri më datën 1 maj 2009, personat që e kanë pasaportën për udhëtim jashtë vendit, nuk do të lejohen të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik.
Pensionistët dhe studentët
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp, lehtësitë financiare, që do të kenë disa kategori qytetarësh, që nuk disponojnë aktualisht pasaportën për udhëtim jashtë vendit. "Për të gjithë pensionistët që kanë pensionet minimale në qytet dhe të gjithë pensionistët në fshat, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri me datën 1 maj 2009, çmimi i letërnjoftimit do të jetë 300 lekë të rinj.
Për të gjithë studentët, për të gjithë ata që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të papunësisë, si dhe për të gjithë ata që deri më datë 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri më datën 1 maj 2009, çmimi i kartës do të jetë 200 lekë",- tha dje Nishani, por pa sqaruar se si do të rimbursohen personat sa më sipër, në rastin kur kanë aplikuar, duke e paguar faturën me çmimet e mëparshme
Karta falas
Letërnjoftimi falas do t'u shpërndahet të gjithë personave para dhe tetraplegjikë, si dhe personave të verbër, të cilët aktualisht nuk mund të disponojnë një pasaportë për udhëtim jashtë vendit. Çmimi fillestar i kartës së identitetit është 1100 lekë të rinj.
Para disa kohësh, qeveria përmes një vendimi të posaçëm vendosi që për çdo anëtar familjeje, që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç, personave me aftësi të kufizuar, personat që përfitojnë pagesë papunësie dhe studentët, çmimi të ishte 500 lekë të rinj.
Ndërsa për të gjithë personat që përfitonin pension pleqërie, çmimi i kartës do të ishte 800 lekë. Ndërkohë, 1000 lekë të rinj është për punonjësit e institucioneve buxhetore, me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35. 000 lekë.