E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimet, ulet numri i kontratave, por rriten të ardhurat

Gjatë muajve janar-shkurt të vitit 2009, tregu ka vazhduar së qeni i orientuar drejt sigurimeve "Jo-Jetë"

Sigurimet e detyrueshme vazhdojnë të përbëjnë shumicën e të ardhurave të shoqërive të sigurimeve, me 55 për qind.


TIRANË - Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shënuar një ulje të kontratave, por që nuk është pasqyruar në të njëjtën mënyrë tek të ardhurat, të cilat kanë shënuar rritje. Sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, gjatë dymujorit të parë të këtij viti, vërehet një ndryshim në konfigurimin e të ardhurave.

Ka një rritje të sigurimeve vullnetare, të cilat rriten në 574 milionë lekë, duke shënuar 74 për qind më shumë të ardhura në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në total, tregu vazhdon të udhëhiqet nga sigurimet e detyrueshme, të cilat për muajt janar-shkurt 2009, kanë përbërë 55 për qind të totalit të të ardhurave të shoqërive të sigurimeve.


Për sigurimet "Jo-Jetë", për muajin shkurt 2009, vërehet një rritje e numrit të kontratave në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, por kjo dukuri nuk ka ndikuar në rritjen e peshës së të ardhurave në arkat e shoqërive të sigurimit, përkundrazi, të ardhurat nga sigurimet në këtë kategori, kanë shënuar ulje në krahasim me ato të sigurimeve të kategorisë "Jetë".

Kështu, për muajin e kaluar, numri i kontratave "Jo-Jetë" ka qenë 97 mijë, duke përbërë 92 për qind të totalit të të ardhurave, nga 94 që shënonte në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Kjo ulje e peshës së të ardhurave nga sigurimet "Jo-Jetë" në buxhetin e shoqërive të sigurimeve, vjen për shkak të rritje së vlerës së kontratave që janë nënshkruar për sigurimet e kategorisë "Jetë", ku për periudhën janar-shkurt 2009, ka shënuar 2 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Në total, numri i kontratave të lidhura dhe të ardhurat nga sigurimet kanë shënuar rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave, në periudhën janar - shkurt 2009, numri i kontratave të sigurimit të lidhura, arriti në 105 mijë, duke shënuar një rritje prej rreth 27 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. "Rritja e numrit të kontratave në 2009-ën, u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave.

Të ardhurat bruto të sigurimeve arritën në rreth 1,3 milionë lekë, shifër kjo 32 për qind më e lartë se ajo e së njëjtës periudhë të vitit 2008", - thuhet në raportin e AMF-së.

Edhe këto dy muaj, tregu ka vazhduar së qeni i orientuar tek sigurimet e "Jo-Jetë", me 92 për qind të të ardhurave, por duke i lëshuar terren kategorisë së sigurimeve "Jetë", të cilat nga 6 për qind që kanë zënë gjatë dy muajve të parë të vitit të kaluar, gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti, kanë shkuar në 8 për qind.


Për sa u përket sigurimeve motorike, të ardhurat nga ato, gjatë muajve janar-shkurt 2009, kanë qenë 447 milionë lekë, duke shënuar një ulje të lehtë me 2 për qind në krahasim me dymujorin e parë të vitit të kaluar.

Ulje, gjithashtu, ka pësuar edhe numri i kontratave të lidhura, të cilat në krahasim me vitin e shkuar, kanë qenë 6 për qind më pak.

Shoqëritë e sigurimeve, për muajt janar-shkurt kanë paguar 237 milionë lekë dëme, ku 90 për qind të tyre, plot 213 milionë lekë, u përkasin dëmeve të sigurimeve motorike.
574 milionë lekë sigurime vullnetare
99 milionë lekë sigurim jete
237 milionë dëme të paguara


55 për qind e totalit, sigurime të detyrueshme
"Ka një rritje të sigurimeve vullnetare, të cilat rriten në 574 milionë lekë, duke shënuar 74 për qind më shumë të ardhura në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar"


"Kjo ulje e peshës së të ardhurave nga sigurimet "Jo-Jetë", në buxhetin e shoqërive të sigurimeve, vjen për shkak të rritje së vlerës së kontratave që janë nënshkruar për sigurimet e kategorisë "Jetë"


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›