8 dëshmi në gjykatë ndaj zyrtarëve të Durrësit,
Të akuzuarit gjatë marrjes së tyre në pyetje nga hetuesit kanë mohuar krimet, duke pretenduar të kundërtën
TIRANE- Katër ditë pas arrestimit të 5 funksionarëve të Bashkisë së Durrësit, me akuzat e korrupsionit aktiv dhe pasiv si dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm Gjykata e rrethit, ka administruar dëshmitë e së paku 8 personave, të dëmtuar apo dëshmitarë në mënyrë direkte apo indirekte në këtë histori.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të Gjykatës së Durrësit të cilët kanë pohuar se numri i personave që kanë dëshmuar në Gjykatë deri më tani ka kapur shifrën e tetë personave.
Ndërkaq mësohet se numri i atyre që pritet të shkojnë në këtë organ për të dëshmuar me qëllim sigurimin e provës së tyre arrin numrin e 20 personave. Marrja e dëshmive të personave duke kryer sigurimin e provës nga Gjykata e Durrësit, është konfirmuar për "Shekullin", edhe nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, krerë të të cilës kanë shprehur aprovimin e tyre për bashkëpunimin e Prokurorisë.
Katër funksionarë të bashkisë së Durrësit, në policinë bashkiake, në njësinë administrative nr. 4 si dhe një sekser u arrestuan nga Policia e Shtetit, me vendim të Gjykatës së rrethit, gjatë operacionit të koduar "Batica".
Rexhep Bulku, 50 vjeç, ish -oficer policie nga Durrësi, shef i Policisë Bashkiake, Bashkim Maloku, 37 vjeç nga Sukthi, polic trupe në Bashkinë e Durrësit, Lutfi Shaban Dervishi, 49 vjeç, Inspektor i njësisë bashkiake në Spitallë, Luan Shaba, 38 vjeç, administrator i njësisë administrative nr.4 Durrës, si dhe sekseri i tyre, Fetah Mataj, 27 vjeç, i dënuar më parë për vepra penale kundër personit, u arrestuan nga policia më 26 mars. Sipas hetimit të Policisë Fetah Mataj, kishte kryer në të gjitha rastet detyrën e sekserit, si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm mbi personat që kishin nisur ndërtimet e tyre dhe donin t'i legalizonin.
Hetimi mësohet se ka nisur një vit më parë, kur një person kishte kërkuar marrjen e lejes së ndërtimit, por kishte hasur në rezistencën e personave të cilët i kishin penguar punimet. Hetuesit kanë dokumentuar mbi 9 raste të marrjes së rryshfetit, në mënyrë direkte apo indirekte nga të arrestuarit.
Përgjimet telefonike dhe ambientale të kryera nga hetuesit kanë provuar veprimet abuzive të të arrestuarve, ndërsa vetë këta të fundit nuk kanë pranuar në asnjë rast të flasin në lidhje me provat e siguruara nga prokuroria dhe policia.