E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Rama, vazhdon përplasja për taksat

Vazhdon telenovela qeveri-bashki për atë çka po cilësohet abuzim me taksat ndaj biznesit të vogël. Qeveria ka vendosur përfundimisht t‘i kufizojë mundësinë pushtetit vendor për të rritur taksat për biznesin e vogël në më shumë se 10 për qind. Duke sulmuar drejtpërdrejt kryebashkiakun e Tiranës, Kryeministri Sali Berisha theksoi se "nuk mund të ndodhë kjo dhe nuk do të lejohet asnjë lloj barriere. Është një ide më feudale se feudalizmi". Nëpërmjet një vendimi, qeveria zgjodhi të kufizojë të drejtën e pushtetit vendor për të rritur vetëm deri në 10 për qind mbi taksën e biznesit të vogël, shumën që ata duhet të paguajnë për të gjitha tarifat dhe taksat e tjera së bashku. Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa komentuar edhe 1 prillin për kryesocialistin Rama. "Rama nuk besohet në ditë të zakonshme dhe jo në ditën e gënjeshtrës", ironizoi Kryeministri. Berisha theksoi se nëse Rama kandidon për deputet, do të pranojë dorëheqjen e tij. "Dhe do t‘i japim Tiranës një kryebashkiak më të mirë", përfundoi Berisha. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është përgjigjur po me ironi akuzave të Kryeministrit për taksat. Duke përdorur simbolikën e ditës së 1 prillit si pikë referimi, Rama e cilësoi kreun e qeverisë një gënjeshtar të madh. "Sot, është 1 prilli dhe për fat të keq, Kryeministri ynë e ka festë këtë ditë dhe megjithëse në fushën e rrenave nuk ka Nastradin hoxhë që e konkurron pinok Berishën, unë i uroj Kryeministrit ta gëzosh 1 prillin. Por edhe i them se nuk ka gënjeshtër që të mban mbi kurrizin e këtij populli edhe për 88 ditë", tha Rama. Pas akuzave të Kryeministrit se pushteti lokal po shton detyrimet ndaj biznesit të vogël, Bashkia e Tiranës shpjegoi dje se nuk bëhet fjalë për rritje taksash, por janë rritur detyrimet që duhet të paguajë biznesi i vogël në kryeqytet. "Niveli i taksave vendore në Bashkinë e Tiranës është ai i vitit 2007 dhe nuk ka ndryshuar, përkundrazi për disa kategori ne i kemi ulur. Nuk duhet të ngatërrojmë taksat me tarifat e shërbimit", u shpreh Belinda Ikonomi, drejtoreshë e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës. Kryeministri Berisha insistoi nga ana tjetër se "ideja e taksës për hyrjen në Tiranë është ide më feudale se feudalizmi. Kjo ide është një lloj regjimi vize, i pashpallur. Nuk e di, se ku e ka gjetur kryetari i bashkisë këtë ide, por është e pabesueshme".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›