E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, të detyrueshme për përfituesit e ndihmës ekonomike



Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, përmes një urdhri të lëshuar së fundmi, ka urdhëruar moslejimin e tërheqja së ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar si dhe pagesës së papunësisë për muajin qershor, në rast se personi nuk është i pajisur me pasaportë apo kartën e identitetit. Gumi bënë me dije se urdhri vjen me qëllim nxitjen dhe përshpejtimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti.

Urdhri

Sipas këtij urdhri, kryefamiljari së bashku me anëtarët e familjes mbi moshën 18 vjeç, të cilët aplikojnë për të përfituar ndihmë ekonomike gjatë muajit qershor 2009 dhe nuk kanë pasaportë, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Personat me aftësi të kufizuara që nuk kanë pasaportë, për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar gjatë muajit qershor 2009, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Personat që përfitojnë pagesë papunësie dhe që nuk kanë pasaportë, për ta përfituar pagesën duhet të depozitojnë pranë zyrave rajonale dhe vendore të punësimit fotokopjen e kartës së identitetit. Urdhri është firmosur nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi “me qëllim nxitjen dhe përshpejtimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti, si dhe bazuar në Kushtetutën e Republikës, ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” dhe vendimin e Këshillit të Ministrave “Për pajisjen për herë të parë me letërnjoftime të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve”, - thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë në media. Ky urdhër është shpërndarë në të gjitha strukturat në nivel qendror dhe rajonal të Shërbimit Social Shtetëror, Shërbimit Kombëtar të Punësimit si dhe në çdo njësi vendore dhe kërkohet zbatimi korrekt i tyre. Më tej, njoftimi informon se inspektorët rajonalë janë udhëzuar të raportojnë në mënyrë periodike pranë kabinetit të ministrit të Punës për numrin e personave që kanë aplikuar për karta identiteti, të cilët janë përfitues nga mbështetja me të ardhura nëpërmjet skemës së ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe pagesës së papunësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›