E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi ''Willson'' ; Sërish në rindërtim



Sheshi ''Willson'', i cili ndodhet në Tiranën e Re, do të ndryshojë sërish. Projekti i bashkëpunimit ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe një banke private për rikonceptimin e këtij sheshi është gati dhe pritet të fillojnë punimet. Burime nga Bashkia e Tiranës bënë të ditur të mërkurën se ''në sheshin ''Willson'' do të bëhen ndërhyrje urbane që do të kenë efekt jo vetëm në imazh, por edhe në funksionalitetin e tij''. Kështu, rrethi qendror (rotonda) do të riformulohet me një trotuar të cekët 1 metër, që do të mundësojë një qarkullim më të sigurt të makinave. Në brendësi të rrethit do të shtohet sipërfaqja e brendshme dhe do të ketë një kodrinë bari, të veshur me shkurre dekorative. Gjithashtu, do të ketë edhe ndërhyrje për pastrimin total, lyerjen e kangjellave, stolave, rregullimin e ndriçuesve, si dhe sistemim e trotuareve nga ndërtimet pa leje përreth. Në sheshin ''Willson'' është ndërhyrë për herë të parë në vitin 2005, falë një projekti të Bashkisë së Tiranës me vlerën e 87 milionë lekëve. Në lidhje me këtë çështje, burime nga Bashkia e Tiranës bënë të ditur se “ndërhyrja do të bëhet si rrjedhojë e amortizimit të këtij sheshi, ndonëse më parë i rehabilituar”. Po sipas këtyre burimeve, kjo rindërhyrje në këtë shesh ka të bëjë me mirëmbajtjen e investimeve publike nga vetë komuniteti i biznesit që vepron në zona të ndryshme të kryeqytetit .

Rasti i dhunës

Të verbrit, protestë paqësore në sheshin “Skënderbej”

Shoqata e të Verbërve ka kërkuar sërish reagimin e institucioneve qeveritare në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj grave të moshuara që protestuan para Kryeministrisë, rreth një javë më parë. Në një protestë paqësore, në sheshin “Skënderbej”, të verbrit protestuan dje rreth orës 18:00. Ndërkohë, Shoqata e të Verbërve ka përshëndetur Presidentin Bamir Topi, pasi ai është i vetmi, sipas tyre, që ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar mbi gratë e verbra.

Elbasan

Letërnjoftimet elektronike, kanë aplikuar 93 mijë banorë

Rreth 93 mijë banorë të qarkut të Elbasanit kanë aplikuar deri tani për pajisjen me letërnjoftimin elektronik, ndërkohë që 36.317 prej tyre janë pajisur tashmë me këto dokumente të rëndësishme. Prefekti i qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, gjatë një takimi të mërkurën me kryetarët e njësive vendore të këtij qarku, duke e konsideruar ecurinë e procesit të aplikimit të shtetasve për letërnjoftimin elektronik si shumë normal, ka kërkuar nga të gjithë krerët e njësive vendore të organizojnë punën me qëllim që të shmangen radhët në shpërndarjen e kartave të identitetit. Sipas tij, drejtuesit vendorë duhet të sigurojnë mjete transporti për të gjithë ata shtetas të cilët banojnë larg qendrave të aplikimit. "Qeveria shqiptare e ka akorduar fondin për këtë problem dhe tashmë mbetet që ju të organizoni punën në këtë drejtim, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik", - iu drejtua prefekti Deliallisi drejtuesve vendorë. Në të njëjtën kohë, ai ka përfituar nga rasti për t'u bërë thirrje të gjithë banorëve të qarkut të Elbasanit që të pajisen me këto dokumente, pasi, sipas tij, "vetëm kështu mund të lëvizim të lirë në Evropë". Procesi i aplikimit të qytetarëve për letërnjoftimet e reja elektronike në qarkun e Elbasanit po ecën me ritme shumë normale. Bazuar në listën zyrtare të marrë nga zyrat e gjendjeve civile, vetëm në Bashkinë e Elbasanit kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 54.422 shtetas, ndërsa 22.615 prej tyre e kanë marrë tashmë këtë dokument. Ndërkohë, mësohet se këto ditë, rreth 6000 studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” janë pajisur me kuponin me vlerë prej 200 lekësh për të aplikuar më pas për letërnjoftimin elektronik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›