E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarku i Tiranës, demokratët ndajnë zonat elektorale



Kandidatët kryesorë të qarkut të Tiranës, tashmë kanë zonat e caktuara ku do të zhvillojnë fushatën e re elektorale të 28 qershorit. Kandidatët me më shumë mundësi fitoreje për t’u bërë deputet në Kuvendin e ri të Shqipërisë, do të zbresin në zonat respektive me qëllim mbledhjen e sa më tepër votave për siglën e PD-së. Por njëherësh ata do të identifikohen si deputetë të zonave ku janë caktuar. Disa prej kandidatëve që kryesojnë listën e PD-së në qarkun e Tiranës, kanë nga dy zona për të bërë fushatë, ndërkohë që lideri Sali Berisha do të zhvillojë takime elektorale në 32 zonat e këtij qarku, që është më i madhi në vend. Pas tij është ministri i Brendshëm Bujar Nishani, i cili bën fushatë në dy zona, atë ku është zgjedhur deputet më 3 korrik 2005, në Kombinat, por këtë radhë ai do të mbulojë edhe fushatën elektorale në zonën e Bashkisë së Vorës. Po ashtu është edhe kryetari i ri i PD-së së kryeqytetit. Ai do të ndjekë hap pas hapi fushatën në Laprakë dhe në njësinë nr. 8, ku është zgjedhur deputet Besnik Mustafaj. Po ashtu edhe Myqerem Tafaj kryeson fushatën në dy zona, atë të Kamzës dhe Paskuqanit. Kurse pjesa tjetër e kandidatëve kanë nga një zonë zgjedhore. Konkretisht, ministrja e Integrimit dhe anëtare e Kryesisë, do të bëjë fushatë në zonën ku doli deputet Bamir Topi para 4 viteve dhe bëhet fjalë për Zogun e Zi përgjatë rrugës së stacionit të trenit. Ilir Rusmali, anëtari tjetër i Kryesisë së demokratëve, do të mbikëqyrë zonën e Kinostudios deri në Tufinë. Florion Mima kryeson fushatën në zonën e “Ali Demit”, ndërkohë që Tritan Shehu atë në njësinë bashkiake nr. 3, që kap Xhamllikun dhe Porcelanin. Kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Gerti Bogdani, është caktuar në njësinë nr. 10, kurse Arben Imami në njësinë nr. 7. gent Strazimiri mbulon zonwn e Dajtit. Pjesa tjetër e kandidatëve në listën e qarkut të Tiranës do të ndihmojnë fushatën e PD-së bashkë me anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të demokratëve sipas një grafiku të caktuar nga Kryesia e PD-së. Nga ana tjetër PD-ja ka ngritur dhe shtabin e përgjithshëm elektoral, i cili përbëhet nga 4 prej kandidatëve që përfshihen në listën e këtij qarku dhe që janë personalitete mjaft të njohura në fushat respektive. Mes tyre dominon aktorja Rajmonda Bulku, e cila renditet e treta në listën e demokratëve në qarkun më të madh të vendit. Ajo ka të siguruar mandatin e deputetes në Kuvendin e ri të Shqipërisë dhe emri i saj në listën e PD-së u konsiderua si një surprizë, pavarësisht se ajo ka mbështetur PD-në që në momentet e para të krijimit të pluralizmit gjatë vitit 1990. Rajmonda Bulku është ajo që u bëri thirrje nënave dhe vajzave të kryeqytetit që të drejtoheshin drejt rrëzimit të bustit të diktatorit komunist që ishte vendosur në qendër të Tiranës. Për Bulkun është rënë dakord që mos të ketë një zonë të caktuar, por të jetë pjesë e rëndësishme e shtabit të përgjithshëm të PD-së, e cila pretendon të korrë një fitore të madhe në qarkun e Tiranës më 28 qershor.

Tashmë PD-ja ka përgatitur të gjithë infrastrukturën e duhur për fillimin e fushatës elektorale, e cila zyrtarisht për demokratët do të hapet ditën e hënë në orën 19:30 në sheshin “Skënderbej”.

Kandidatët sipas zonave

1. Sali Berisha, 32 zonat e qarkut të Tiranës

2. Aldo Bumçi, zona e Laprakës dhe njësia nr. 8

3. Bujar Nishani, zona e Vorës dhe Kombinatit

4. Majlinda Bregu, Zogu i Zi dhe stacioni i trenit

5. Ilir Rusmali, zona e Kinostudios deri në Tufinë

6. Florion Mima, zona e “Ali Demit”

7. Tritan Shehu, njësia nr. 3, Xhamlliku

8. Myqerem Tafaj, zona e Kamzës dhe Paskuqanit

9. Gerti Bogdani, njësia nr. 10

10. Arben Imami, njësia nr. 7

11.Gent Strazimiri nw zonwn e Dajtit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›