E Diel, 1 Nëntor 2026

"Karton i kuq? Nuk është problem, do iki me pushime"

Klubet dhe tifozët e Premiershipit janë tronditur pas skandalit të radhës, të publikuar nga "News of the World". Tabloidi zbuloi regjistrimet, në të cilat Stiv Benet, një prej gjyqtarëve më të rëndësishëm anglez, pohonte se disa prej yjeve të kampionatit i kërkonin që t‘i ndëshkonte në mënyrë që të skualifikohej. "Një lojtar shumë i njohur, tha Benet, kërkonte ta largoja nga loja me karton të kuq, pasi dëshironte të shkonte në pushime me familjen. Ndërkohë, një tjetër donte të pezullohej, sepse nuk do të kishte impenjime me skuadrën për Krishtlindje". Siç dihet, kampionati anglez është i vetmi mes ligave më të rëndësishme evropiane, që nuk ndalon as për festat e fundvitit. Benet, i cili nuk e kuptoi se po e regjistronin, sqaroi se këto kërkesa vijnë kryesisht nga lojtarët e huaj, të cilët nuk janë mësuar të luajnë në këtë periudhë. Në një lokal të Spanjës, ku mori pjesë në mbledhjen e arbitrave evropianë, ai vazhdoi: "Juve nuk dini as gjysmën e atyre që ndodhin në fushë. Nëse tifozët do t‘i dinin, do t‘u vinte për të vjellë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›