Kaka, 15 ditë jashtë fushave, mungon në derbin me Interin
Ndeshja me Rexhinën nuk solli vetëm zhgënjim për barazimin 1-1, por edhe dëmtimin e lojtarit më të rëndësishëm të Milanit. Në sfidën e së shtunës në mbrëmje, Kaka ndrydhi këmbën e majtë dhe do të qëndrojë jashtë fushave të lojës "të paktën për 15 ditë". Kjo konfirmohet nga klubi kuqezi, në një deklaratë zyrtare. Prej këtij lëndimi, mesfushori nuk do të luajë miqësoren e së martës Brazil-Itali, derbin me Interin, ndeshjen e ardhshme në kampionat me Kaljarin dhe sfidën e kthimit në Kupën UEFA kundër Verder Bremenit. "Milani deklaron se futbollisti Kaka iu nënshtrua vizitave mjekësore, të cilat konfirmuan traumën në këmbën e majtë. Koha e rehabilitimit është të paktën 15 ditë", theksohej në njoftimin e klubit. Në momentin kur braziliani po transportohej në klinikën "Gaetano Pini" për kontrollin fillestar, ka ndodhur edhe një episod i pakëndshëm: gjatë rrugës, ambulanca kaloi sipër një grope, duke pësuar dëme. Në orët e vona të natës, Kaka u kthye në shtëpi dhe nuk ka përdorur asnjë medikament kundër dhimbjes.