Kartoni i kuq, qesharak
Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie e ka konsideruar ‘totalisht qesharak’ ndëshkimin me karton të kuq në humbjen e Arsenalit 3:1 nga Barcelona, e vlefshme për të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.
Holandezi e mori një karton të kuq (pas dy të verdhëve) kontrovers, pasi e goditi topin pas sinjalizimit të gjyqtarit për pozitë jashtë loje. Në atë moment, skuadrat po luanin baras 1:1, i cili e çonte ekipin e Arsene Wenger në çerekfinale. Përfaqësuesi holandez beson se ‘skuqja’ e tij e ndryshoi rrjedhën e lojës.
“Mendoj se po. Ky karton pati një ndikim të madh. Kishte ende për t’u luajtur sepse rezultati ishte 1:1. Vendimi për largimin tim nga loja ishte totalisht qesharak. Si mund ta dëgjoja unë bilbilin e tij kur 95 mijë shikues po brohorisnin”, deklaroi sulmuesi i Arsenalit për Sky Sports.
“Gjyqtari ka gabuar gjatë tërë ndeshjes, ai ishte kundër nesh. Nuk e di pse ishte Busacca këtu për të referuar sonte. Ai e prishi lojën”, vazhdoi Van Persie.
Pas largimit të tij, Barcelona i shpeshtoi sulmet dhe çdo gjë ishte më e lehtë për katalunasit, të cilët shënuan edhe dy gola për ta siguruar kualifikimin më tutje.